Pas Mira Muratit, një tjetër gjeni refuzon ofertën miliardëshe të Zuckerberg: Meta dështon të blejë start-up-in rival të AI

Një ekspert australian i inteligjencës artificiale ka refuzuar një ofertë marramendëse prej 1 miliard dollarësh nga Meta e Mark Zuckerberg. Andrew Tulloch, i lindur në Perth dhe diplomuar në Universitetin e Sidneit, kaloi më shumë se një dekadë në kompaninë mëmë të Facebook përpara se të bashkohej me OpenAI dhe më pas të krijonte start-up-in revolucionar Thinking Machines Lab.

I themeluar në shkurt 2025 nga Tulloch dhe ish-CTO e OpenAI, Mira Murati, kompania është tashmë e vlerësuar në 12 miliardë dollarë amerikanë. Sipas Wall Street Journal, Zuckerberg tentoi ta blinte kompaninë, por oferta u refuzua nga Murati. Ai më pas u përpoq të rekrutonte talentet kryesore të kompanisë, përfshirë vetë Tulloch, duke i ofruar një paketë pagese prej 1 miliard dollarësh të shpërndarë në gjashtë vjet, me bonuse dhe aksione shtesë.

Por Tulloch, i cilësuar nga kolegët si një “gjeni ekstrem”, e refuzoi ofertën. Meta e përgënjeshtroi shifrën prej 1 miliard dollarësh, duke e quajtur “të pasaktë dhe qesharake”. Tulloch, ish-nënkapiten në shkollën Christ Church Grammar dhe me rezultate të shkëlqyera akademike, ka pasur një karrierë të shquar, përfshirë një master në statistikë dhe machine learning në Universitetin e Kembrixhit.

Thinking Machines Lab ka arritur të mbledhë 2 miliardë dollarë në raundin e parë të financimit, me mbështetje nga gjigantët e Silicon Valley si Andreessen Horowitz, Accel, Jane Street, Nvidia, AMD dhe Cisco. Surprizë përfshihet edhe qeveria shqiptare, e cila raportohet se ka investuar 10 milionë dollarë në projekt.

Deri tani, asnjë nga 50 punonjësit e kompanisë nuk ka pranuar ofertat e Meta-s, megjithë përpjekjet agresive për t’i joshur. Sam Altman, kreu i OpenAI, deklaroi muajin e kaluar se Meta ka ofruar bonuse deri në 100 milionë dollarë për stafin e tij — pa sukses.