Ukrainë-Rusi/ Ndihmësi i Trump: India po e financon luftën e Putinit duke blerë naftë ruse

Një ndihmës i lartë i presidentit amerikan Donald Trump ka ngritur akuza të forta ndaj Indisë, duke e fajësuar atë për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë përmes blerjes së naftës nga Moska. Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, deklaroi në një intervistë për Fox News se “është e papranueshme që India të vazhdojë të financojë këtë luftë”, duke theksuar se lidhjet e Nju Delhit me Rusinë janë më të thella se sa besohej më parë.

“Njerëzit do të tronditen kur të mësojnë se India është në thelb e lidhur me Kinën në blerjen e naftës ruse. Ky është një fakt i habitshëm,” u shpreh Miller, duke shtuar presionin diplomatik mbi Indinë në një moment kritik të konfliktit në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, presidenti Trump bëri të ditur se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, mund të udhëtojë këtë javë drejt Rusisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë paralajmëroi sanksione të reja ndaj Moskës nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk pranon një armëpushim deri të premten.

Ndërkohë, në frontin e luftës, një sulm me dron ukrainas shkaktoi zjarr të madh në një depo nafte në qytetin bregdetar të Soçit, në jug të Rusisë. Mbi 100 zjarrfikës u angazhuan për të vënë flakët nën kontroll gjatë orëve të para të së dielës. Ky incident nënvizon tensionet e shtuara dhe rritjen e intensitetit të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike ruse.