Hamasi deklaron gatishmërinë për të lejuar ndihma për pengjet izraelite, por vendos kushte ndaj Izraelit

Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo kërkesë nga Kryqi i Kuq për të dërguar ushqim dhe ndihma për pengjet izraelite që mbahen në Rripin e Gazës. Një anëtar i krahut të armatosur të këtij grupi tha për agjencinë Reuters se organizata nuk do të pengojë misionet humanitare, për sa kohë ato kryhen në përputhje me rrethanat në terren dhe nuk rrezikojnë jetën e civilëve apo të luftëtarëve palestinezë.

Deklarata vjen në vazhdën e reagimeve të ashpra nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e akuzoi Hamasin për atë që ai e quajti “uri sistematike” ndaj pengjeve. Reagimi i Netanyahut erdhi pas publikimit të një videoje tronditëse nga Hamasi, ku shfaqej një peng izraelit në gjendje të rënduar shëndetësore, i dobësuar dhe i mbyllur në një tunel betoni, pa dëshmi të ndihmës ushqimore apo mjekësore.

Në një deklaratë për mediat, Netanyahu bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë urgjente me drejtuesin rajonal të Kryqit të Kuq, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar furnizime dhe trajtim mjekësor për pengjet. Ai e quajti të papranueshme mbajtjen e tyre në kushte çnjerëzore dhe pa qasje në ndihma bazë.

Nga ana tjetër, Hamasi ka vendosur disa kushte për lehtësimin e dërgimit të ndihmave. Grupi palestinez kërkon hapjen e përhershme të korridoreve humanitare nga Izraeli, si dhe ndalimin e plotë të fluturimeve dhe bombardimeve gjatë shpërndarjes së ndihmave, duke theksuar se veprimet ushtarake përbëjnë rrezik serioz për jetën e ekipeve humanitare dhe vetë pengjet.

Ky zhvillim vjen në një moment kur presioni ndërkombëtar po shtohet mbi të dyja palët për të gjetur një zgjidhje humane për çështjen e pengjeve, ndërsa situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet.