E hëna, afati i fundit për Jasharin, Milani ka gati planin B
Milani ka vendosur një afat deri të hënën për të arritur marrëveshje me Club Brugge për transferimin e Ardon Jasharit, përndryshe do të kalojë te alternativa e dytë: Javi Guerra nga Valencia.
Kuqezinjtë e kanë çuar ofertën e tyre në 38 milionë euro (me bonuse të përfshira), duke e konsideruar këtë si limiti maksimal, por klubi belg vazhdon të kërkojë më shumë.
Nga ana e tij, Jashari është i vendosur të transferohet në “San Siro” dhe ka kujtuar se Club Brugge i kishte premtuar largimin në rast të një oferte 32.5 milionë euro + bonuse. Futbollisti ka kërkuar një takim me drejtuesit për të forcuar pozitat e tij dhe për të shtyrë përpara transferimin, por durimi i Milanit po soset.
Javi Guerra, alternativa serioze në horizont
Sipas ‘Corriere dello Sport’, nëse nuk ka përparim deri të hënën, drejtuesit do t’i drejtohen Javi Guerra-s, 22-vjeçar që është rritur te akademia e Valencias.
Spanjolli ka qenë gjithashtu në vëmendjen e Manchester United, ndërsa Valencia po mundohet t’i rinovojë kontratën, një faktor tjetër që i detyron kuqezinjtë të mos vonojnë gjatë vendimin.
Milani ka vënë në lëvizje të gjitha alternativat dhe nuk dëshiron të humbasë as Jasharin, as Guerran, ndaj dita e hënë do të jetë vendimtare për qartësimin e mesfushës së ardhshme kuqezi.