‘Mendova se ky ishte fundi im’/ Dëshmia e dhimbshme e 15-vjeçarit që u qëllua në sy ndërsa kërkonte ushqim në Gaza
Një 15-vjeçar palestinez ka mbetur i verbër në njërin sy pasi u qëllua nga forcat izraelite ndërsa përpiqej të siguronte ushqim për familjen e tij në një nga pikat e shpërndarjes së ndihmave në Gaza.
Abdul Rahman Abu Jazar ishte pranë një vendi të menaxhuar nga Organizata Globale Humanitare (GHF), e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, kur ndodhi sulmi.
“Isha me tre persona të tjerë. Sapo filluam të vraponim, ata hapën zjarr,” rrëfeu adoleshenti për Al Jazeera. Një plumb e goditi në syrin e majtë, duke i shkaktuar dëmtime të parikuperueshme sipas mjekëve.
“Ishte hera ime e parë që shkoja në pikën e shpërndarjes. Nuk kishim ushqim në shtëpi,” tha ai, ndërsa kujtonte tmerrin e përjetuar në orët e para të mëngjesit. “Ndjeva sikur elektricitet përshkoi trupin tim… U rrëzova përtokë dhe mendova se ishte fundi im.”
Adoleshenti thotë se të shtënat nuk pushuan edhe pasi u plagos, duke shtuar se ushtarët izraelitë vazhduan të qëllonin pavarësisht thirrjeve të dëshpëruara që ai të kthehej pas. “U frikësova dhe fillova të recitoja lutje,” kujton ai.
Ngjarja vjen në një kohë kur dhjetëra mijëra njerëz në Gaza janë në kërkim të ushqimit, ndërsa ndihmat humanitare vazhdojnë të bllokohen.