Skandal në Kumanovë, thirrje raciste kundër shqiptarëve njollosin ndeshjen e basketbollit

Një ngjarje e rëndë dhe e papranueshme ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Kumanovë, gjatë një ndeshjeje miqësore basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Atmosfera sportive u shndërrua në një shfaqje të urrejtjes dhe racizmit ndaj shqiptarëve, me thirrje të turpshme nga një pjesë e tifozëve në tribunë.

“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër” ishin disa nga parullat tronditëse që u brohoritën gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që autoritetet e pranishme nuk reaguan aspak.

E pranishme në sallë ishte edhe maja e shtetit maqedonas, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq, por asnjë ndërhyrje nuk u bë për të ndalur gjuhën e urrejtjes.

Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të thellë në opinionin publik shqiptar dhe përbën një alarm serioz për klimën e diskriminimit etnik në Maqedoninë e Veriut. Deri tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet maqedonase, pavarësisht se thirrjet ishin të qarta, të përsëritura dhe të denja për dënim.

 

Një vend që aspiron anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk mund të tolerojë akte të tilla të urrejtjes që cenojnë kohezionin shoqëror dhe vlerat themelore të demokracisë. Heshtja zyrtare është shqetësuese dhe nxit pandëshkueshmërinë për gjuhën raciste dhe ekstremiste.