Pep Guardiola, drejt divorcit pas 30 vitesh bashkëjetesë, rinovimi me Man. City “pika që derdhi gotën”
Trajneri i njohur spanjoll, Pep Guardiola, dhe bashkëshortja e tij, Cristina Serra, janë në proces divorci pas 30 vitesh së bashku. Çifti, i martuar që nga viti 2014, ndodhet në një fazë të avancuar të ndarjes dhe, sipas “The Sun”, nënshkrimi zyrtar i divorcit pritet të ndodhë brenda muajit të ardhshëm.
Burime pranë çiftit bëjnë të ditur se marrëdhënia mes tyre ka kaluar nga “miqësore në të largët”, ndërsa janë në negociata të ndërlikuara për të arritur një marrëveshje. Gazetaret spanjolle, Laura Fa dhe Lorena Vázquez, të parat që raportuan për ndarjen, thonë se nuk ka asnjë mundësi për pajtim: “Raporti emocional mes tyre ka marrë fund”, theksojnë ato.
Problemet në çift kanë nisur prej kohësh, kryesisht për shkak të stilit të ndryshëm të jetesës. Serra nuk u përshtat kurrë me jetën në Manchester dhe u rikthye në Barcelonë para pesë vitesh për t’u përkushtuar ndaj markës së saj të veshjeve. Ndërkohë, Guardiola zgjodhi të rinovonte me Manchester City-n deri në vitin 2027, një vendim që mendohet të ketë qenë “pika që derdhi gotën” për bashkëshorten e tij, e cila dëshironte që ai të kalonte më shumë kohë me familjen ose të merrte një pauzë nga futbolli.
Edhe pse Pep është përpjekur ta shpëtojë martesën, duke e rregulluar orarin për të qenë më shpesh në Barcelonë, përpjekjet e tij nuk kanë dhënë rezultat. Këto vështirësi personale, të bëra publike që në janar, përkojnë edhe me një prej periudhave më të vështira të karrierës së tij si trajner, ndërsa ka paralajmëruar se pas vitit 2027 do të largohet nga City për të “fokusuar më shumë në vetveten”.