Mbi 100 persona trajtohen për të përziera dhe të vjella për shkak të ndotjes së ujit të detit në Nazaré të Portugalisë
Plazhi i famshëm i Nazaré-së në Portugali u mbyll përkohësisht të premten për shkak të një defekti teknik në sistemin e ujërave të shiut, që solli ndotje të ujit dhe erë të rëndë në vijën bregdetare.
Sipas autoriteteve, rrjedhja anormale e ujërave të ndotura u shkaktua nga një incident teknik dhe çoi në shfaqjen e simptomave gastrointestinale te dhjetëra pushues. Deri të shtunën pasdite, të paktën 116 persona, përfshirë 44 fëmijë dhe 26 të rritur, kishin marrë trajtim mjekësor për simptoma si të përziera, të vjella dhe diarre.
Njësia Lokale e Shëndetit në Leiria konfirmoi se rastet janë ende në verifikim dhe nuk janë finalizuar plotësisht. Kryetari i bashkisë së Nazaré-së, Manuel Sequeira, tha se shumica e të prekurve ishin të rinj që kishin qëndruar në plazh dhe theksoi se simptomat sugjerojnë një shpërthim të mundshëm gastroenteriti.
Pavarësisht situatës alarmante, autoritetet njoftuan të shtunën në mbrëmje se ndalimi i larjes në det është hequr, pasi analizat konfirmuan se uji është sërish i pastër dhe pa ndotës organikë. Në një deklaratë, bashkia bëri të ditur se uji i detit ishte i qartë dhe i sigurt për përdorim.
Plazhi i Nazaré-së, i njohur për valët gjigante dhe si një destinacion i preferuar për surfistët, tërhoqi vëmendjen jo vetëm për bukuritë e tij natyrore këtë fundjavë, por edhe për incidentin që vuri në rrezik shëndetin e pushuesve. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë hetimet për të përcaktuar burimin e saktë të ndotjes dhe për të parandaluar përsëritjen e saj.