Zyrtare/ Chelsea transferon talentin e Ajax-it për 43 milionë euro
Chelsea ka zyrtarizuar afrimin e Jorrel Hato-s, ish-talent i madh i Ajax-it. 19-vjeçari holandez u është bashkuar bluve për një shumë prej 43 milionë eurosh, ndërsa ka firmosur një kontratë shtatëvjeçare me klubin londinez.
Hato debutoi me skuadrën e parë të Ajax-it në shkurt të vitit 2023, kur ishte vetëm 16 vjeç, 10 muaj e 23 ditë, duke u bërë lojtari i pestë më i ri në histori që luan për klubin nga Amsterdami. Ai vazhdoi të shkruante historinë, duke u bërë kapiteni më i ri në historinë e Ajax-it dhe gjithashtu lojtari më i ri me mbi 100 paraqitje për klubin.
Në total, Hato regjistroi 111 paraqitje, 4 gola dhe 10 asistime me fanellën e Ajax-it. Çmimi i tij e bën atë shitjen e pestë më të shtrenjtë në historinë e klubit holandez, duke barazuar shifrën e largimit të Mohammed Kudus drejt West Ham-it.
Hato i bashkohet një Chelsea që sezonin e kaluar fitoi UEFA Conference League dhe Kampionatin Botëror për Klube dhe që këtë sezon rikthehet në UEFA Champions League për herë të parë që nga viti 2023.
Në skuadrën e re, Hato do të konkurrojë me Marc Cucurella-n për vendin në krahun e majtë të mbrojtjes, por gjithashtu mund të luajë edhe si qendërmbrojtës, përballë emrave si Levi Colwill, Wesley Fofana, Tosin Adarabioyo, Trevoh Chalobah dhe Mamadou Sarr.
Ndeshja e parë ku Hato mund të debutojë është më 8 gusht, në miqësoren ndaj Bayer Leverkusen në “Stamford Bridge”, ndërsa sezoni i Premier League për Chelsea-n nis më 17 gusht, në shtëpi ndaj Crystal Palace.