Garnacho drejt largimit nga Manchester United, Amorim: Një talent i pastër, por po kërkon diçka tjetër
Trajneri i Manchester United, Rúben Amorim, ka folur me sinqeritet për situatën e Alejandro Garnacho, një prej emrave më të përfolur në listën e largimeve këtë verë. Tekniku portugez e pranoi talentin e madh të argjentinasit të ri, por po ashtu pranoi se gjërat nuk kanë shkuar siç pritej.
“Garnacho është një djalë me vërtet shumë talent, kjo është e qartë për të gjithë,” – tha Amorim.
“Por ndonjëherë gjërat nuk ecin sipas pritshmërive dhe nuk ka gjithmonë një shpjegim të qartë. Kam përshtypjen se ai kërkon diçka ndryshe, ndoshta një udhëheqje tjetër, dhe e kuptoj. Kjo është një dinamikë natyrale në futboll.”
Garnacho nuk është i vetmi në listën e largimeve: edhe Antony, Jadon Sancho dhe Tyrell Malacia janë në treg. Ndërkohë, një tjetër produkt i akademisë, Marcus Rashford, është transferuar në huazim te Barcelona.
Amorim theksoi se shkurtimi i numrit të lojtarëve është një vendim strategjik, në përputhje me faktin se United nuk do të marrë pjesë në garat evropiane këtë sezon:
“Dua një skuadër më të vogël në numër. Në këtë mënyrë çdo lojtar do të ndihet pjesë reale e projektit. Kur ke shumë lojtarë, rrezikon të lësh shumë jashtë çdo javë, humbet entuziazmi dhe bie cilësia në stërvitje.”
E ardhmja e Garnachos duket gjithnjë e më larg Manchesterit, dhe largimi i tij tashmë duket vetëm çështje kohe.