Kush do ta trashëgojë fanellën me numrin 9 te Real Madridi pas Mbappé-së? Një surprizë e madhe në horizont
Transferimi i Kylian Mbappésë te Real Madridi është pa dyshim lajmi më i bujshëm i kësaj vere, por vëmendja nuk është përqendruar vetëm te prezenca e tij. Francezi ka zgjedhur të mbajë fanellën me numrin 10, të liruar nga legjenda Luka Modrić, një vendim me peshë simbolike dhe ndikim të madh marketingu, pasi kjo fanellë pritet të dominojë shitjet globale.
Megjithatë, ndërsa bota e futbollit është e përqendruar te Mbappé, në Madrid ka lindur një pyetje intriguese: kush do të marrë numrin 9, atë që deri tani i ishte rezervuar zakonisht një qendërsulmuesi ikonë në historinë e klubit?
Deri më tani, dy emra kanë dalë në pah si pretendentë kryesorë: Endrick, talenti brazilian që ka pasur një sezon debutues jo të lehtë, por me pritshmëri të mëdha; Gonzalo García, i cili shkëlqeu në Kupën e Botës për Klube dhe ka fituar besimin për të qenë pjesë e skuadrës së parë.
Megjithatë, deri në këtë moment, dy javë para nisjes së sezonit të ri të La Ligas, Real Madridi nuk ka zyrtarizuar ende mbajtësin e fanellës me numrin 9.
Sipas burimeve të medias spanjolle, kjo vonesë nuk është rastësi. Presidenti Florentino Pérez beson se skuadra është tashmë konkurruese, por nuk përjashtohet një goditje e fundit në merkato, në rast se paraqitet një rast i jashtëzakonshëm.
Në këtë kontekst, ka nisur të qarkullojë me këmbëngulje një emër i ri: Nick Woltemade, sulmues gjerman i Stuttgart-it, i ndjekur gjithashtu nga Bayerni. Çmimi i tij është i lartë, por nëse Real Madridi troket, gjithçka mund të ndryshojë.
A do të jetë një nga të rinjtë, apo pritet një emër surprizë? Përgjigjja për fanellën legjendare me numrin 9 te “Los Blancos” mbetet ende pezull.