Migrim vullnetar apo zhvendosje? Banorët e Gazës që ngulin këmbë në tokën e tyre përballen me një realitet katastrofik.

Qeveria izraelite ka propozuar krijimin e një departamenti të posaçëm për të organizuar atë që përshkruhet si “migrim i sigurt dhe vullnetar” i palestinezëve nga Rripi i Gazës, një veprim që ka shkaktuar reagime të ashpra brenda dhe jashtë territorit të rrethuar.

Ndërsa Tel Avivi pretendon se plani synon të ofrojë zgjidhje për civilët e zhytur në luftë, kritikët e shohin si një skemë të rrezikshme që synon zbrazjen e Gazës nën maskën e një procesi “vullnetar”. Euronews ka folur me banorë të Gazës, të ndarë mes rezistencës së ashpër ndaj çdo ideje të largimit dhe dëshpërimit që i shtyn të kërkojnë ikje.

Palestinezë si Mohsen al-Ghazi dhe Sami al-Dali refuzojnë me forcë çdo mundësi për të emigruar, pavarësisht vuajtjeve dhe humbjeve të thella që kanë përjetuar. Ata e konsiderojnë qëndrimin në Gaza si një detyrim moral dhe kombëtar përballë përpjekjeve që, sipas tyre, synojnë të përsërisin historinë e Nakbës. “Është më e lehtë të vdesësh këtu sesa t’i japësh pushtuesit një justifikim për gënjeshtrën e tij”, tha al-Ghazi, duke shtuar se ai nuk do të largohej “as sikur të dërgonin anije për të na transportuar.”

Por jo të gjithë mendojnë njësoj. Bilal Hassanin, i plagosur dhe i mbetur pa strehë, e përshkruan emigrimin si “një domosdoshmëri urgjente”. Ai, bashkë me persona si Zakaria Farajallah dhe bashkëshorten e tij shtatzënë, kërkojnë rrugë për të ikur nga Gaza për të siguruar trajtim mjekësor, siguri dhe një të ardhme për fëmijët e tyre. “Rripi i Gazës është bërë një vend i tmerrshëm dhe i pajetueshëm,” shprehet Farajallah, duke theksuar se ikja për të nuk është braktisje, por shpëtim.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësime serioze. Kombet e Bashkuara dhe organizata si Human Rights Watch dhe UNRWA paralajmërojnë se zhvendosja e banorëve të Gazës nën presion lufte dhe bllokade përbën një krim sipas ligjit ndërkombëtar. Hamasi, nga ana e tij, e ka quajtur planin një përpjekje për “eliminimin e çështjes palestineze.”

Me më shumë se 300,000 persona me shtetësi të dyfishtë në Gaza dhe me një krizë humanitare që thellohet çdo ditë, plani izraelit ka ndezur një debat të ashpër mbi të ardhmen e rajonit dhe të drejtën e banorëve për të jetuar në tokën e tyre. Përballë një realiteti të tmerrshëm, vendimet individuale për qëndresë apo largim janë bërë një pasqyrë e dhimbshme e një populli që lufton për të ruajtur dinjitetin mes rrënojave./ Euronews - Syri.Net