McIntosh dhe Marchand, fillimi i një miqësie të bukur në Singapor

Në Kampionatin Botëror të Notit Singapor 2025, dy emra shkëlqyen mbi të gjithë: Summer McIntosh dhe Léon Marchand. Të shpallur si notarja dhe notari më i mirë i kampionatit, dy talentët e rinj jo vetëm që triumfuan në stil dhe karakter, por shënuan edhe fillimin e asaj që duket të jetë një miqësi e veçantë dhe e fuqishme, që nga shtatori do të forcohet më tej nën drejtimin e trajnerit legjendar Bob Bowman, në Teksas.

McIntosh, e cila fitoi katër medalje të arta individuale, e barazoi suksesin e Marchand nga Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Të dy fituan titullin në garën 400 metrastil i përzier, ku mbajnë rekordet përkatëse botërore. Fotografia e përbashkët me trofetë e tyre ishte një moment historik i këtij kampionati.

Pavarësisht sukseseve, McIntosh pranon se ky botëror i ka dhënë shumë mësime. Ajo dështoi të thyente rekordin e botës në 200 metra flutur dhe mori vetëm vendin e tretë në 800 metra stil i lirë, pas sfidës me legjendën Katie Ledecky.

“Qëllimi im ishin pesë medalje të arta, jo koha. Doja të prekja murin pesë herë si e para. Nuk ia dola, por kjo më motivon edhe më shumë. Edhe sikur t’i kisha fituar të gjitha, do të doja më shumë”, tha kanadezja 18-vjeçare.

Ndërkohë, Marchand pati një ditë të çmendur të dielën: në mëngjes mezi u kualifikua në finalen e 400 metra stil i perzier (me kohën e shtatë), por në mbrëmje fiton të artën në stil të përzier dhe më pas ndihmon Francën të marrë të argjendtën në 4x100 metra stil i lirë. Ai theu edhe rekordin botëror të Ryan Lochte në 200 metra stil i përzier, një tjetër kulm në karrierën e tij.

“Ky botëror më konfirmoi që kam marrë vendimet e duhura dhe që ende më pasionon noti. Rekordi i Lochte tregon që ende e dua këtë sport”, u shpreh Marchand, i cili nuk e përjashton mundësinë të garojë edhe në 200 dhe 400 metra stil i lirë në të ardhmen.

Tashmë, të dy do të bashkëjetojnë në të njëjtin ambient stërvitor, të drejtuar nga Bowman, mentor i Michael Phelps. Një kombinim i fuqishëm që premton edhe më shumë arritje në vitet që vijnë. Në Singapor u njohën si kampionë. Në Teksas, mund të bëhen legjenda së bashku.