Frikë për Uli Hoeness, legjenda e Bayern-it pëson një problem shëndetësor gjatë një eventi bamirësie

Momente shqetësuese janë përjetuar sot për Uli Hoeness, president nderi i Bayern Munich, i cili ka pësuar një problematikë shëndetësore të papritur gjatë një turneu bamirësie në golf të zhvilluar në Castello di Miel, rreth 430 kilometra larg nga Mynihu.

Sipas të përditshmes ‘Bild’, 73-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital pas një çarje të një ene gjaku, por falë reagimit të shpejtë mjekësor dhe trajtimit të menjëhershëm, ai është shëruar dhe ka lënë spitalin në mbrëmje, duke qenë tashmë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti të organizuar nga Timotheus Höttges, CEO i Telekom-it, sponsor historik i Bayern-it, ku morën pjesë edhe shumë figura të njohura të lidhura me klubin bavarez.

Hoeness është një ikonë e futbollit gjerman dhe e Bayern-it: ish-futbollist i klubit nga viti 1970 deri në 1979, me 329 paraqitje, tre tituj të Bundesligës, tri Kupa të Kampionëve dhe një Kupë Bote me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1974. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai mori rolet më të rëndësishme drejtuese në klub, duke qenë menaxher i përgjithshëm dhe më pas president nga 2009 deri më 2019.

Aktualisht, ai mban titullin e presidentit të nderit dhe është i angazhuar vazhdimisht në jetën e klubit. Pas kësaj frike të madhe, tifozët e Bayern-it mund të ndihen të qetë: Hoeness është mirë dhe i gatshëm të vazhdojë misionin e tij përkrah klubit të zemrës.