Simeone transferohet te Torino, do ta vazhdojë aventurën në Serie A

Giovanni Simeone do të ndryshojë skuadër në këtë merkato vere, por jo kampionat. Sulmuesi argjentinas është shumë pranë nënshkrimit me Torinon, duke vazhduar rrugëtimin e tij në Serinë A, një kampionat ku ka debutuar në vitin 2016 dhe që prej atëherë ka lënë gjurmë të rëndësishme.

I njohur si “El Cholito”, djali i trajnerit të njohur, Diego Simeone, kishte vendosur të largohej nga Napoli këtë verë, në kërkim të më shumë hapësirave dhe protagonizmit në fushë. Edhe pse kishte interes nga ekipe të ndryshme si Pisa në Itali, Nottingham Forest në Angli dhe Sevilla, Valencia, Betis e Celta në Spanjë, sulmuesi zgjodhi ofertën e Torinos, ku tekniku Marco Baroni i ka premtuar një rol qendror në repartin ofensiv.

Torino do të jetë klubi i gjashtë për Simeonen në elitën e futbollit italian, pas aventurave me ekipe si Genoa, Fiorentina, Cagliari, Hellas Verona dhe Napoli.

I rritur te River Plate në Argjentinë, Simeone është aktualisht i gjashti në renditjen e golashënuesve aktivë të Serisë A, me 73 gola, dhe i pesëmbëdhjeti argjentinas më i mirë në historinë e kampionatit italian për nga numri i golave.

Ky transferim pritet të jetë një hap i rëndësishëm për të rifituar vazhdimësinë dhe për të rikthyer formën e tij më të mirë në një skuadër që synon të përmirësojë ndjeshëm pozitat në sezonin e ri.