Tri medalje dhe paraqitje premtuese në Shkup, Kosova shkëlqen në Kupën Evropiane për të rinj
Xhudistet e reja të Kosovës kanë lënë gjurmë të thella në Kupën Evropiane për te rinj, e cila u mbajt gjatë fundjavës në Shkup, duke dëshmuar për potencialin e madh që po rritet në sportin e xhudos.
Në këtë kompeticion të rëndësishëm, që përfshinte garues deri në 21 vjeç, Kosova u përfaqësua me një grup premtues xhudistesh, të cilat u dalluan jo vetëm për rezultatet, por edhe për shpirtin luftarak dhe përkushtimin në çdo përballje.
Laurinë Gashi ishte ‘ylli’ i garës për Kosovën, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo dominoi të gjitha sfidat, duke treguar nivel të lartë teknik dhe vendosmëri për të arritur majën e podiumit.
Në të njëjtën kategori, edhe Sidorela Dodaj u ngjit në podium, duke fituar medaljen e bronztë dhe duke përforcuar prezencën e Kosovës në këtë peshë me dy medalje të merituara.
Suksesi i Kosovës u plotësua me një tjetër medalje bronzi nga Enise Zijade, e cila u dallua në kategorinë deri në 57 kilogramë. Ajo u paraqit me guxim dhe qartësi në veprime, duke siguruar vendin e saj në mesin e më të mirave.
Përveç medalisteve, edhe garueset tjera patën paraqitje të lavdërueshme. Sara Osmani e mbylli garën në vendin e pestë, pasi fitoi dy ndeshje të rëndësishme ndaj përfaqësueseve nga Mali i Zi dhe Izraeli, duke dëshmuar karakter dhe përparim të vazhdueshëm.
Erlule Musaj, nga ana tjetër, e përfundoi garën në vendin e shtatë, duke fituar përvojë të vlefshme në një kompeticion të këtij niveli ndërkombëtar.
Rezultatet e arritura në Shkup dëshmojnë se xhudoja në Kosovë mbetet një prej sporteve më të suksesshme, me një brez të ri që po rritet me hapa të sigurt drejt sukseseve të ardhshme.