'S’pranojmë leksione demokracie nga ata që vrasin fëmijë'/ Akuza se po mbronte grupet antisemitiste, kryebashkiaku i Athinës i përgjigjet ambasadorit izraelit
Kryetari i bashkisë së Athinës, Haris Doukas, dhe ambasadori izraelit në Greqi, Noam Katz, u përplasën ashpër në distancë, pas akuzave të ambasadorit se Doukas nuk po mbronte qytetin nga grupet antisemitiste dhe po ndikonte negativisht në imazhin e Athinës për turistët izraelitë.
Në një intervistë për “Kathimerini”, Katz kritikoi mungesën e veprimeve për pastrimin e qytetit nga grafitet dhe aktivitetet antisemitiste, duke thënë se kjo bën që turistët izraelitë të ndihen të pasigurt.
Përgjigjja e Doukas ishte e fortë dhe me tone kritike ndaj Izraelit, duke e cilësuar Athinën si një kryeqytet demokratik që respekton vizitorët dhe mbron të drejtën e shprehjes së lirë. Ai akuzoi Izraelin për vrasje civile dhe fëmijësh në Gaza dhe tha se nuk pranon “mësime për demokracinë nga ata që shkaktojnë dhunë dhe gjenocid”.
Kreu i bashkisë iu përgjigj edhe kritikave për grafitet, duke theksuar se fokusi i ambasadorit në këtë çështje është i pavend ndërkohë që në Gaza po ndodh një gjenocid i paprecedent.
Doukas gjithashtu theksoi se numri i turistëve izraelitë që kanë marrë Vizën e Artë Greke është rritur mbi 90% vitin e fundit, duke dërguar mesazhin se Greqia mbetet mikpritëse, por e pakompromis ndaj dhunës në Lindjen e Mesme.
Partia kryesore opozitare PASOK reagoi me një deklaratë ku i bëri thirrje qeverisë greke të marrë një qëndrim ndaj ambasadorit, duke kërkuar që ai të përqendrohet në çështjet serioze në Gaza dhe të lërë mënjanë sulmet ndaj kryetarit të bashkisë dhe autoriteteve lokale.