Bisedimet për Traktatin Global të Plastikës rifillojnë në Gjenevë mes thirrjeve për të ndalur lobistët e industrisë
Bisedimet për një Traktat Global ligjërisht të detyrueshëm për ndotjen plastike rifillojnë sot në Gjenevë, teksa presioni ndaj negociatorëve rritet pas dështimit të raundit të fundit në dhjetor në Korenë e Jugut. Aktivistët dhe shkencëtarët paralajmërojnë se pjesëmarrja masive e lobistëve të industrisë, të cilët dominuan negociatat e mëparshme, rrezikon të minojë përpjekjet për një marrëveshje domethënëse dhe efektive.
Traktati synon të adresojë të gjithë ciklin jetësor të plastikës – nga prodhimi te menaxhimi i mbetjeve – por disa vende të pasura me burime fosile këmbëngulin që fokusi të mbetet vetëm te pastrimi i mbetjeve. Ndërkohë, komuniteti shkencor ka paraqitur prova të qarta se plastika ka efekte serioze në mjedis dhe shëndetin e njeriut, duke përfshirë depërtimin e mikro- dhe nanoplastikës në trurin e njeriut dhe qumështin e gjirit.
Greenpeace paralajmëron për ndikimin e fuqishëm të lobistëve të korporatave petrokimike, të cilët kanë qenë aktivë në bisedime që prej vitit 2022 dhe kanë punuar për të dobësuar traktatin në favor të zgjidhjeve të diskutueshme si riciklimi kimik. Sipas organizatës, vetëm shtatë kompani kanë prodhuar plastikë të mjaftueshme për të mbushur mbi 6 milionë kamionë mbeturinash që nga fillimi i procesit negociues.
“Lobistët nuk mund të vazhdojnë të shkruajnë rregullat,” thotë Anna Diski nga Greenpeace UK. “Nëse duam një traktat me kuptim, ata duhet të përjashtohen nga bisedimet.” Shkencëtarët kërkojnë objektiva të qarta për kufizimin e prodhimit të plastikës dhe masa mbrojtëse për shëndetin publik.
Ndërsa delegacionet kombëtare përgatiten për dy javë negociata intensive, rritet presioni ndaj Komitetit Ndërqeveritar Negociator (INC-5.2) për të sjellë një marrëveshje të fuqishme dhe të zbatueshme. “Ky është shansi i fundit i botës për të vepruar me guxim,” thotë profesori Steve Fletcher. “Konsensusi shkencor është i qartë. Pyetja tani është: a do të reagojnë qeveritë?”