McLaren shkëlqen me ‘dopietë’ në Hungari, Leclerc i katërti dhe i tërbuar me inxhnierët e Ferrarit
McLaren ka shkëlqyer në Çmimin e Madh të Hungarisë, duke siguruar një ‘dopietë’ të çmuar me Lando Norris në vend të parë dhe Oscar Piastri-n të dytin. Ishte një garë spektakolare në Budapest, ku pavarësisht një nisjeje të dobët nga radha e dytë, Norris e përmbysi situatën dhe siguroi fitoren e tij të gjashtë sezonale, të tretën në katër garat e fundit.
Çelësi i suksesit të britanikut ishte një strategji më e zgjuar, me një ndalesë më pak në bokse krahasuar me rivalët. Pavarësisht presionit të madh në fund nga Piastri, australiani nuk arriti ta kalonte shokun e skuadrës, edhe pse kaloi më herët Charles Leclerc të Ferrarit, i cili ishte nisur nga ‘pole position’.
Leclerc e dominoi gjysmën e parë të garës dhe dukej se do të arrinte fitoren e parë të sezonit, por strategjia e dështuar e Ferrarit me përzgjedhjen e gomave të forta i kushtoi shumë. Ai u parakalua edhe nga George Russell i Mercedes-it në xhirot e fundit, ndonëse britaniku u penalizua me pesë sekonda për bllokim të parregullt ndaj Leclerc. Monegasku shpërtheu në radio duke akuzuar inxhinierët e tij se nuk e dëgjuan për strategjinë e gomave.
Për McLaren kjo ishte fitorja e 200-të në historinë e tij në Formula 1, një arritje e madhe që u festua me dy pilotë në podium. Pas katër të parëve, Fernando Alonso me Aston Martin zuri vendin e pestë, ndërsa i gjashti ishte braziliani i ri Gabriel Bortoleto me Sauberin.
Një garë që konfirmon formën e shkëlqyer të Norris dhe rikthimin e McLarenit në qendër të luftës për fitore.