Piktura e humbur e Salvador Dalit u ble nga një garazh në Londër për 150 paund dhe u kthye në ankand 200 herë më e shtrenjtë

Një vepër e rrallë e Salvador Dalit, e titulluar Vecchio Sultano (1966), është autentikuar dhe do të dalë në ankand në tetor, pasi u rizbulua rastësisht në një shitje shtëpie në Kembrixh, Mbretërinë e Bashkuar. Akuareli, pjesë e serisë së humbur prej kohësh “Netët Arabe”, u ble për vetëm 150 paund nga një tregtar antikitetesh dy vjet më parë. Tashmë, vepra vlerësohet deri në 30 mijë paund dhe do të shitet në ankandin Art and Design Sale të shtëpisë Cheffins më 23 tetor.

E krijuar me bojëra uji dhe stilolaps me majë të ndjerë, akuareli përshkruan një sulltan me çallmë të zbukuruar me gurë të çmuar, i frymëzuar nga mitologjia dhe kultura e Një mijë e një netëve. Piktura është shumë ndryshe nga veprat ikonike surrealiste të Dalit, por është vërtetuar nga eksperti kryesor i artistit, Nicolas Descharnes.

Origjina e saj lidhet me një porosi të vitit 1963 nga çifti italian Giuseppe dhe Mara Albareto, që i kërkuan Dalit të ilustronte një Bibël. Sidoqoftë, artisti katalanas zgjodhi të punonte në një projekt tjetër – një seri ilustrimesh të frymëzuara nga kulturat arabe dhe maure, të cilat e kishin magjepsur. Ndërsa projekti ishte parashikuar të përmbante 500 vepra, vetëm 100 u përfunduan dhe shumë prej tyre u humbën apo u dëmtuan me kalimin e viteve.

Zbulimi i Vecchio Sultano-s në një garazh londinez ka ngjallur interes të madh në botën e artit dhe pritet të tërheqë vëmendjen e koleksionistëve dhe muzeve në mbarë botën.