Lookman kërkon largimin nga Atalanta: Dua Interin, mjaft më me premtime të pambajtura

Ademola Lookman ka zyrtarizuar prishjen e marrëdhënieve me Atalantën, duke kërkuar publikisht largimin nga klubi dhe duke deklaruar hapur dëshirën për t’u bashkuar me Interin. Sulmuesi nigerian ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për transferim, vetëm dy ditë pasi klubi bergamask refuzoi ofertën e Interit prej 42 milionë eurosh plus 3 milionë në formë bonusesh.

Në një mesazh emocional të shpërndarë në rrjetet sociale, Lookman u shpreh:

“Gjatë këtyre tri viteve kam dhënë gjithçka për Atalantën, si lojtar dhe si njeri. Kam ndier krenari që kam veshur këtë fanellë dhe që kam përfaqësuar këtë qytet me zemër dhe përkushtim. Fitimi i Europa League dhe festa me tifozët në Dublin është momenti më i paharrueshëm i karrierës sime.”

Megjithatë, pas gjithë kësaj periudhe të suksesshme, Lookman thotë se ndien se ka ardhur momenti për një aventurë të re. “Kam qëndruar besnik ndaj klubit pavarësisht interesimit të shumë skuadrave, por ishte rënë dakord që nëse vinte një ofertë e drejtë, do të më lejohej të largohesha. Për fat të keq, kjo nuk po ndodh.”

Sulmuesi theksoi se ndjesia e braktisjes dhe trajtimi i padrejtë nga klubi e kanë detyruar të flasë hapur. “Pas muajsh të tërë premtimesh të pambajtura dhe trajtimi të papërshtatshëm, nuk më ka mbetur tjetër veçse të kërkoj publikisht transferimin.”

Në fund, Lookman nuk harroi të falënderonte tifozët:

“Ju më keni dhënë dashuri të pakushtëzuar. Më vjen keq që gjërat kanë shkuar kështu. Shpresoj të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjitha palët.”