Jasir Asani nis aventurën e re në kampionatin iranian
Jasir Asani ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij, duke firmosur me gjigantin iranian Esteghlal FC.
Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi, i cili konfirmoi marrëveshjen me sulmuesin shqiptar deri në fund të sezonit 2026/27.
Asani ndodhet në muajt e fundit të kontratës me Gwangju FC në Kore, çka i ka dhënë mundësinë të negociojë i lirë me skuadra të tjera. Sipas njoftimit zyrtar të Esteghlal, lojtari do t’i bashkohet ekipit sapo të përfundojë kontrata me klubin korean, por palët po tentojnë të arrijnë një akord për transferimin e menjëhershëm.
“I jemi drejtuar Gwangju FC për të përshpejtuar kalimin e tij në Iran,” thuhet mes të tjerash në deklaratën e klubit.
Asani pritet të jetë një nga emrat kryesorë të kampionatit iranian, ndërsa transferimi shihet si një hap strategjik për të, si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ishte ndër protagonistët kryesorë në fushatën kualifikuese për Euro 2024.