Lynda La Plante për Britaninë e mbushur me krim: Njerëzit jetojnë në frikë! Politikanët nuk dinë çfarë të bëjnë...

Shumë prej nesh nuk flejmë natën duke u shqetësuar nëse do të mund të paguajmë kredinë e shtëpisë. Por natën para se të takoheshim, Lynda La Plante nuk flinte nga meraku nëse është e mundur të gjendet ADN në një trup të shkatërruar nga një shpërthim bombe – madje edhe nga dhëmbët. Ngjarja e romanit që po shkruan, i gjashti dhe i fundit me detektivin e saj të ndjeshëm dhe të dashur Jack Warr, varet nga kjo.

“Telefonova një mik shkencëtar sot në mëngjes dhe më tha se është pothuajse e sigurt që edhe rrobat shumë të djegura mund të ruajnë ADN,” thotë ajo me gëzim. “Veçanërisht rripi i pantallonave. Ishte një lehtësim.”

82-vjeçarja La Plante ndodhet në dhomën e ndenjjes së shtëpisë së saj të shekullit XVII në Kingston. Me flokët e saj voluminozë, vathët e artë që shkëlqejnë dhe zërin e saj të fuqishëm aristokratik, ajo duket si zonja e madhe e letërsisë kriminale britanike – dhe e plotëson tërësisht këtë figurë. Ambienti i shtëpisë së saj i ngjan një kështjelle baroniale – oxhaqe gjigande, koka dre të varura nëpër mure – fryt i një pasurie që përllogaritet në rreth 30 milionë paund, të fituar gjatë katër dekadave si autore bestselleresh dhe skenariste e hiteve televizive si Widows dhe Prime Suspect.

Në një moment, qeni i saj gjigand, një përzierje pudeli dhe qen ujku, Theo, hyn në dhomë – thuajse i madh sa vetë ajo. Por nëse ajo vetë është përplot glamur, shkrimet e saj janë krejt ndryshe – të mbushura me detaje të sakta dhe realiste të hetimeve, më shumë se sa me aksion e armë.

Romanet e saj (janë 50 gjithsej dhe ajo ka shitur 15 milionë kopje) fokusohen te puna e detajuar e hetuesve. Obsesioni i saj aktual është forenzika, dhe romani më i ri The Scene of the Crime sjell një protagoniste të re: Jessica Russell, drejtuese e Njësisë së Re për Analizën e Krimeve të Rënda në Policinë Metropolitane – një tjetër heroinë tipike e La Plante: e fortë, e përmbajtur, por viktimë e seksizmit institucional brenda policisë. Rasti i parë që trajton Russell përfshin tentativën për vrasjen e një tregtari të pasur vere, dhe ajo koordinon analizën e ADN-së dhe të dhënat digjitale.

“Sot në TV shfaqen këto detektive femra tepër të reja, që vrapojnë e arrestojnë njerëz,” thotë La Plante me përçmim. “Por në realitet, janë ekspertët dhe shkencëtarët që zgjidhin krimet.”

Gratë në rolin e hetueses – falë saj

Fakti që sot shohim gra që zgjidhin krime në ekran është, sipas shumëkujt, pikërisht për shkak të La Plante. Karrierën e nisi si aktore – diplomuar në RADA në vitet ’60 – dhe më pas u shfaq në seriale policore si The Sweeney, Z Cars dhe Bergerac.

Por në fillim të viteve ’80, e lodhur nga mungesa e roleve të fuqishme për gra, i propozoi Thames Television serialin Widows – ku tri gra, pas vdekjes së burrave të tyre kriminelë, planifikojnë një grabitje banke. Seriali u bë menjëherë hit me 18 milionë shikues.

Në 1991, ajo krijoi Prime Suspect, me Helen Mirren si inspektoren Jane Tennison – gruaja e parë që udhëhiqte një njësi vrasjesh në televizion britanik.

“Tennison ishte një figurë që nuk ishte parë kurrë më parë,” thotë La Plante. “E lartë në hierarki, por përballet me mizogjininë dhe diskriminimin.”

Jetë e rrezikshme për të shkruar me realizëm

Për të qenë realiste, ajo ka rrezikuar shpesh jetën. Për Widows, ajo qëndroi me ish-të dënuar në pub-e të Londrës Lindore dhe kaloi kohë me përdorues droge në Kings Cross. Për romanin Bella Mafia, ajo intervistoi bosët e mafies në Itali. Në një rast, vendosi një fije floku në tavolinën e dhomës së hotelit – dhe kur u kthye, fijeja mungonte. Mafia po kontrollonte shënimet e saj.

Ka intervistuar edhe disa nga kriminelët më të dhunshëm të Britanisë. “Peter Sutcliffe ishte për të ardhur keq,” thotë ajo. “Charles Bronson ende më dërgon karikatura – kam qindra. Të gjitha kanë një rresht: ‘Mos ec kurrë mbrapsht në qelinë e një të çmenduri.’” Ai i ka kërkuar dy herë të jetë shoqëruesja e tij në martesë.

Si i përballon këto situata? “Sepse jam aktore,” thotë. “Mësova të mos shfaq asnjë ndjenjë. Nuk nxjerr bllok shënimesh, nuk ndez regjistruesin. Një herë të të kthehet dikush kundër, dhe nuk e harron kurrë.”

Britania sot: frikë, agresion, mungesë vizioni

E tronditur nga dhuna në shoqëri, La Plante thotë: “Më thyen zemra për nënat që humbin fëmijët nga krimi me thika. Njerëzit jetojnë me frikë, në metro, në rrugë.”

Ajo beson se gjendja po përkeqësohet. Një rast e tronditi veçanërisht: shoferi i saj në një lavazh makine u paralajmërua të mos reagonte pasi një tjetër drejtues kërcënoi me hanxhar.

Politikanët? “Nuk kanë asnjë ide çfarë po bëjnë. Lëshojnë kriminelët para kohe. Si ndihesh ti si viktimë e një abuzuesi kur mëson që ai është liruar më shpejt?”

Ajo kritikon edhe protestat pro-Palestinë: “Jam thellësisht e prekur nga fëmijët në Ukrainë dhe Gaza, por protestat këtu janë tepër konfrontuese.”

Ajo flet edhe për mungesën e edukimit që nga fëmijëria e hershme: “Mësuesit nuk përballen dot me fëmijë që s’janë stërvitur për tualet, s’kanë mësuar si të sillen. Prindër të paaftë. Duhet investuar më shumë në shkolla fillore.”

Taksa, benefite dhe bamirësi

Ajo kritikon të pasurit britanikë që ikin për të shmangur taksat. “Në Amerikë, pavarësisht gjithçkaje, njerëzit si Musk dhe Bezos japin miliona për bamirësi. Këtu jo.”

Vetë ajo jep shpesh – për fëmijët e uritur, për qen e gomarë, për rojet bregdetare.

Familja, humbja, dashuria për qentë

E rritur në Liverpool nga një baba shitës dhe nënë shtëpiake, ajo thotë se fëmijëria e saj ishte “idilike”. Por një plagë e hershme ndikon në jetën e saj: motra e madhe, Dail, u vra nga një kamion para se ajo të lindte.

Megjithatë, ajo nuk kuptoi dhimbjen deri kur humbi qenin e saj të dashur, Hugo, një Borzoi madhështor. “Kur vdiq papritur, u theva. Ishte hera e parë që ndjeva dhimbjen e vërtetë. Më ndihmoi ta kuptoja më mirë edhe atë që përjetuan prindërit e mi.”/ TheTelegraph-Syri.Net