'Lulëzon' sërish trafiku i emigrantëve në Shqipëri/ 17-vjeçari nga Lushnja kapet në Gjirokastër duke transportuar 9 egjiptianë

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses një tjetër goditje ndaj trafikimit të paligjshëm të emigrantëve, duke vënë në pranga 4 shtetas, mes tyre edhe organizatori i dyshuar i veprimtarisë kriminale, në kuadër të operacionit të koduar "Attempt 2".

Sipas njoftimit zyrtar, u kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt fitimit 9 emigrantë të huaj, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit në drejtim të Shkodrës. Të arrestuarit janë: K. B., 29 vjeç; A. A., 48 vjeç; Një shtetas i mitur 17-vjeçar, të tre banues në Lushnjë; D. D., 34 vjeç, po ashtu banues në Lushnjë, i dyshuar si organizator i rrjetit.

I mituri u kap në aksin Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur "Ura e Kardhiqit", duke drejtuar një mjet tip "Mercedes-Benz", pa leje drejtimi. Ai transportonte 9 emigrantë egjiptianë dhe tentoi të shmangte kontrollin e Policisë duke braktisur mjetin dhe u largua, por u arrestua më pas.

Ndërkohë, A. A. dhe K. B. dyshohet se udhëtonin me një automjet tip “Fiat”, me detyrën për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar të miturin për praninë e Policisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan: 2 automjete të përdorura për transportin e emigrantëve; 400 euro; 6 telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për vijimin e hetimeve. Policia e Gjirokastrës thekson se operacionet kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve do të vijojnë pa ndërprerje.