‘Fryrja e barkut’/ Shkaqet që duhet t’i dini për të jetuar më rehat
Fryrja e barkut është një nga shqetësimet më të zakonshme dhe të bezdisshme që mund të përjetojë dikush në jetën e përditshme. Zakonisht, ndodh pas një vakti të rëndë ose pas konsumimit të ushqimeve që prodhojnë gazra, siç janë bishtajoret, perimet crucifere (si brokoli dhe lakra) apo pijet me gaz.
Në raste të tilla, fryrja është e përkohshme dhe shkaktohet nga grumbullimi i ajrit në sistemin tretës. Zakonisht shoqërohet me ndjesi rëndese ose një dhimbje të lehtë, e cila largohet brenda pak orësh.
Megjithatë, ka persona që e përjetojnë këtë ndjesi çdo ditë, pa e ditur saktësisht shkakun. Kur fryrja bëhet e vazhdueshme dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me çrregullime të njohura të tretjes si sindroma e zorrës së irrituar, intoleranca ndaj glutenit apo sëmundjet inflamatore të zorrëve, ia vlen të shqyrtojmë më me kujdes stilin tonë të jetesës.
Gjumi i keq, stresi, përtypja e nxituar dhe ritmi i përgjithshëm i jetës së ngarkuar ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin tretës.
Një nga arsyet më të zakonshme të fryrjes së barkut është cilësia e dobët e gjumit. Edhe nëse flejmë për orë të mjaftueshme, nëse gjumi nuk është i thellë dhe i qetë, kjo mund të ndikojë në metabolizmin dhe nivelet e kortizolit, hormonit të stresit, duke favorizuar shfaqjen e fryrjes.
Zgjidhja në këtë rast është të kujdesemi për higjienën e gjumit: të mbajmë një orar të rregullt, të shmangim ekspozimin ndaj ekranit para gjumit dhe të përfshijmë në rutinën tonë relaksues natyralë si valeriana.
Një tjetër faktor që shpesh injorohet është jeta ulur. Nëse kalojmë orë të tëra para televizorit ose kompjuterit pa lëvizje, jo vetëm që dëmtojmë shëndetin tonë në përgjithësi, por përkeqësojmë edhe ndjesinë e parehatshme në zonën e barkut.
Edhe pa shkuar në palestër, mund të shtojmë aktivitet në rutinën tonë të përditshme. Për shembull, duke ecur më shumë, ngjitur shkallët, duke bërë ushtrime të shkurtra në shtëpi ose duke përdorur një pedal ushtrimesh gjatë kohës që shikojmë televizor.
Mënyra si hamë ka rëndësi të madhe. Kur konsumojmë ushqim shpejt, pa e përtypur mirë, hyjmë më shumë ajër në stomak dhe hamë sasi më të mëdha para se të ndjejmë ngopje. Zgjidhja? Ushqimi i ndërgjegjshëm – të shijojmë çdo kafshatë, të përtypim ngadalë dhe të përqendrohemi te shija dhe tekstura e ushqimit.
Edhe ushqimet e shëndetshme, si bishtajoret dhe perimet crucifere, mund të shkaktojnë fryrje për shkak të sheqernave natyralë që përmbajnë dhe vështirësive në tretje. Në këto raste, mund të zhyten bishtajoret për mbi 24 orë ose të shtohet pak sodë buke gjatë gatimit. Për perimet, ndihmon zierja më e gjatë.
Në disa raste, fryrja kronike mund të lidhet me intolerancën ndaj glutenit, që shpesh nuk diagnostikohet lehtë. Gluten është një proteinë që gjendet në grurë dhe produktet e tij, dhe për disa persona është si një trup i huaj për zorrën, duke shkaktuar fryrje, diarre, kapsllëk, dhimbje kyçesh dhe simptoma të tjera. Nëse dyshoni për këtë, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun dhe të bëni testet e nevojshme para se të hiqni glutenin nga dieta.
Intoleranca ndaj fruktozës, sheqerit natyral në fruta dhe ushqime të tjera, mund të shkaktojë probleme tek shumë njerëz. Një lloj i zakonshëm i kësaj intolerancë lidhet me ndjeshmërinë ndaj karbohidrateve të caktuara të grupit FODMAP, të cilat fermentohen lehtësisht në zorrë dhe shkaktojnë fryrje, gazra dhe shqetësime të tretjes.