Gjermani/ AfD rritet sërish, fiton 25% të popullaritetit

Partia e ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’ (AfD) ka arritur 25% në një sondazh të ri të kryer nga instituti INSA për gazetën ‘Bild am Sonntag’, duke shënuar një rritje me një pikë përqindjeje krahasuar me javën e kaluar.

AfD vijon të mbetet shumë pranë vendit të parë në preferencat e votuesve, vetëm pak muaj pas fitores elektorale të Unionit Kristian-Demokrat (CDU/CSU), që çoi Friedrich Merz në postin e kancelarit.

Sipas sondazhit, forcat politike në Gjermani kanë ruajtur thuajse të njëjtin balancë si javën e kaluar. CDU/CSU mban ende vendin e parë me 27%, ndërsa partneri i saj në qeveri, Partia Socialdemokrate (SPD), regjistron vetëm 15%.

Pas tyre renditen Të Gjelbrit me 11% dhe Die Linke (E Majta) me 10%. Partia e sapokrijuar e Sahra Wagenknecht (BSW) arrin në 4%, ndërsa liberalët e FDP qëndrojnë në fund të tabelës me vetëm 3%.

Sondazhi i INSA u zhvillua nga data 28 korrik deri më 1 gusht, me pjesëmarrjen e 1.203 qytetarëve të regjistruar në listat zgjedhore.