VIDEO/ Zjarri përfshin sërish lagjen 'Zinxhira' në Gjirokastër, tymi dhe era e keqe përfshin gjithë zonën
Një vatër zjarri ka rënë për herë të tretë brenda 10 ditëve në lagjen Zinxhira, pranë komunitetit rom në Gjirokastër, duke shkaktuar shqetësim të madh për banorët e zonës.
Zjarri ka shpërthyer gjatë orëve të natës në një pikë grumbullimi mbetjesh, e cila prej kohësh nuk pastrohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, ndonëse problematika është trajtuar disa herë më parë nga komuniteti lokal dhe mediat.
Tymi i dendur ka pushtuar të gjithë zonën përreth, duke krijuar ndotje dhe rrezik për shëndetin e banorëve, veçanërisht fëmijëve dhe të moshuarve. Banorët shprehen të shqetësuar nga përsëritja e kësaj situate dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet vendore për pastrimin e mbetjeve dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.