VIDEO/ Viola Isufaj në ‘Odeon’ për Martin Camajn dhe spekulimet ndaj tij: Faktet janë në dosje, jo në silogjizma të çastit

Në një analizë të kthjellët dhe të mbështetur në dokumentacion, studiuesja Viola Isufaj, në emisionin ‘Odeon’, trajtoi me shqetësim përpjekjet e disa rrymave brenda hapësirës shqiptare për të hedhur hije mbi figurën e Martin Camajt një figurë që, sipas saj, i ka dhënë nder kulturës kombëtare dhe nuk meriton të rishkruhet përmes dyshimeve pa themel.

‘Ju e keni vënë re, ka një rrymë në botën shqiptare që ka ekzistuar me kohë, e cila kërkon që të destabilizojë disa figura që vërtetë i bëjnë nder botës shqiptare... Por ajo që më shqetëson mua është që nisen nga arsyetime të çastit, nga disa silogjizma: nëse e ka bërë këtë, i bie që të ketë bërë edhe këtë etj.’

Isufaj vë theksin te mënyra e pajustifikuar me të cilën, herë pas here, bëhen insinuata mbi të kaluarën e Camajt, sidomos për periudhën e arratisë dhe mbërritjes në Gjermani. Ajo kundërshton qartë çdo dyshim të hedhur në ajër pa bazë konkrete dhe e mbështet argumentin e saj te dokumentet autentike.

‘Si arriti në Gjermani, kush e ndihmoi dhe të tjera. Këto nuk qëndrojnë. Unë kam parë dosjen e Martin Camajt. Janë dy dosje. Në fakt i kam tërhequr dhe i kam lexuar fletë për fletë.’

Studiuesja thekson se Martin Camaj, edhe pasi ishte rekrutuar me dhunë nga Sigurimi i Shtetit, asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me të. Dosjet, sipas saj, flasin vetë dhe s'lënë vend për interpretime të lirshme.

‘Martin Camaj pas rekrutimit me dhunë nga sigurimi i shtetit, asnjëherë nuk i është përgjigjur shtetit shqiptar për detyrat që ai ka caktuar, madje nëse ti lexon dosjen, është plot me raportime të sigurimit të shtetit. Në këto raportime nuk ka asnjë çast të vetëm ku Martin Camaj i është përgjigjur atyre.’

Ajo përshkruan se si Camaj u soll në raport me tentativat e kontrollit dhe ndjekjes ndaj tij, duke e krahasuar me një figurë që lëvizte me zgjuarsi dhe pavarësi të plotë.

‘Përkundrazi, kam pasur një lloj admirimi, do ndihet ndërsa lexohet kjo dosje. Është një lloj Xhejm Bondi i cili lëviz në pika të ndryshme. Është jashtëzakonisht i zdërvjellët, i zgjuar dhe i shkathët dhe ai i ikën këtyre takimeve dhe nuk raporton për asgjë, ose raporton për gjëra që nuk i vlejnë askujt.’

Isufaj thekson se të gjitha dyshimet për ndonjë bashkëpunim apo implikim të Camajt në shërbim të shtetit shqiptar rrëzohen nga vetë faktet që përmbajnë dosjet zyrtare të ndjekjes së tij, të cilat ajo i ka lexuar me kujdes.

‘Ju lutem, dosjet janë aty dhe mund të konsultohen. Madje pas arratisjes së tij në ish-Jugosllavi është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, është ndjekur dhe përndjekur edhe në Romë dhe në Mynih gjithashtu. Mirëpo me gjithë raportimet që kanë bërë, janë fare të thjeshta dhe vetëm përshkrime të marrjes pjesë në një konferencë të caktuar, të takimit të këtij apo atij personaliteti dhe asgjë më në këtë botë.’

Ajo e bën të qartë se kur flitet për figura me peshë si Camaj, është e papranueshme që të ngrihen aludime pa bazë arkivore. Rruga e vetme për të gjykuar është leximi i dokumenteve dhe jo ndërtimi i silogjizmave të çastit.

‘Nëse do të flasim për implikimin e tij në zyrën e shtetit shqiptar, për këtë gjë ne na flasin vetëm faktet dhe vetëm dosjet. Këtu nuk do të flas poetikisht, por do të flas me atë që vetë e kam shfletuar, parë rresht për rresht në dosjet e Sigurimit të Shtetit.’