Fëmija kishte pasaportën të skaduar, prindërit e lënë në aeroport dhe ikin me pushime

 

Një fëmijë vetëm 10-vjeçar është lënë i vetëm në aeroport sepse i kishte skaduar pasaporta, ndërkohë që prindërit e tij morën avionin dhe ikën me pushime.

Ngjarja ka ndodhur në aeroportin e Barcelonës.

Sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, thuhet se ka ndodhur në fund të korrikut dhe është denoncuar nga një koordinatore fluturimi, e cila ka ndarë përvojën e saj në TikTok, duke e përshkruar skenën si ‘krejtësisht surreale’.

Sipas asaj që është mësuar deri tani, fëmija nuk ka mundur të hipë në aeroplan sepse pasaporta e tij kishte skaduar dhe për të hyrë në vendin e destinacionit, ishte i nevojshëm një vizë.

Sipas rrëfimit të punonjëses, prindërit, pasi e kuptuan që djali nuk mund të udhëtonte, e lanë atë në terminal dhe kontaktuan një të afërm që të shkonte ta merrte. Fëmija u vu re nga stafi i aeroportit ‘Josep Tarradellas Barcelona-El Prat’, të cilët menjëherë njoftuan autoritetet.

‘Ai tregoi se prindërit e tij ishin tashmë në fluturim drejt vendit për ku ishin nisur me pushime’, tha punonjësja. Piloti, i informuar për ngjarjen, pyeti pasagjerët nëse dikush kishte lënë një fëmijë në terminal, por askush nuk u përgjigj.

Në fund, prindërit u identifikuan: ata ndodheshin në bord me një fëmijë tjetër më të vogël. Pas kësaj ndërhyri dhe ‘Guardia Civil’ që bëri të mundur ndalimin e avionit. Prindërit u shoqëruan në stacionin e policisë, ku ndodhej edhe djali 10-vjeçar.