FOTO/ A janë në rrezik ‘ishujt më të bukur në botë’?
Ishujt Lofoten të Norvegjisë, të vendosur rreth 300 kilometra brenda Rrethit Arktik, janë bërë virale në rrjetet sociale falë peizazheve të tyre mahnitëse dhe dritës së përhershme të verës, që zgjat nga fundi i majit deri në fund të korrikut. Por, ndërsa kjo bukuri tërheq gjithnjë e më shumë turistë, banorët e këtyre ishujve po ngrenë zërin për të ruajtur identitetin dhe natyrën e veçantë të vendit të tyre.
Një bukuri që të lë pa fjalë
Peizazhet e Lofotenit janë ‘gdhendur’ nga akujt, me male të thepisur që ngrihen nga deti dhe plazhe që i ngjajnë më shumë Mesdheut sesa Arktikut, me rërë të bardhë dhe ujë kristal. Në fshatin Flakstad, pamjet e këtij kontrasti të jashtëzakonshëm tregojnë pse Lofoten e quan veten ‘ishulli më i bukur në botë’.
Drita e diellit 24-orësh i jep gjithçkaje një shkëlqim të veçantë, ndërsa banorët tregojnë për përvoja unike verore si peshkimi gjatë natës apo golfi në orën 02:00 të mëngjesit. Gjatë gjithë vitit, Lofoteni tërheq alpinistë dhe turistë që ndjekin diellin e mesnatës apo dritat veriore, ndërsa zhurma e vetme që dëgjohet ndonjëherë është cicërima e shqiponjave detare dhe zogjve arktikë.
Turizmi në rritje dhe sfidat e tij
Lofoteni përbëhet nga shtatë ishuj kryesorë dhe lidhet nga rruga E10, një rrjet urash dhe tunelesh që përshkon rreth 175 kilometra. Megjithatë, përkundër historisë së pasur që përfshin vendbanime vikinge dhe tradita shekullore peshkimi turizmi në këtë rajon nisi të zhvillohej seriozisht vetëm dy dekadat e fundit, i nxitur nga përmirësimi i infrastrukturës dhe ekspozimi në rrjetet sociale.
Në vitin 2023, ishujt pritën rreth një milion vizitorë një shifër që është 40 herë më e madhe se popullsia e tyre prej vetëm 25,000 banorësh. Fluturimet sezonale nga qytete si Parisi, Frankfurti dhe Zyrihu e kanë rritur edhe më tej prurjen turistike.
Megjithëse shumica e banorëve janë të lumtur për mundësitë ekonomike dhe hapjen e restoranteve dhe bareve të reja, ata shprehin shqetësime nëse infrastruktura dhe natyra delikate e zonës mund të përballojnë këtë fluks.
‘Ky është shtëpia jonë, jo thjesht një sfond për ‘selfie’
Në bregun e Unstad, në ishullin Vestvågøy, vendasit Astrid Haugen dhe Frida Berg shprehin krenarinë për vendlindjen e tyre, por edhe shqetësimin. ‘Më parë kur u thoja njerëzve se isha nga Lofoteni, nuk dinin ku ishte. Tani e kanë parë në internet dhe nuk besojnë se ky është realiteti im i përditshëm’, thotë Haugen.
‘Por ky është problemi,’ shton Berg. ‘Ky është shtëpia jonë, jo vetëm një sfond për foto në Facebook. Kur turistët hedhin mbeturina apo bllokojnë rrugët, është zhgënjyese.’
Ky qëndrim reflektohet edhe nga kryebashkiaku i Flakstadit, Einar Benjaminson, i cili paralajmëron për një ndryshim të ndjeshëm në opinionin publik: ‘Dhjetë vjet më parë, ndoshta vetëm 2% e banorëve ishin kundër turizmit. Tani kjo shifër ka arritur në 25%.’
Fshatra bosh në dimër dhe prona në duar të të huajve
Një tjetër sfidë është blerja masive e shtëpive nga të huaj të pasur, që shpesh i përdorin ato për qëndrime të shkurtra ose i kthejnë në akomodime turistike, duke lënë shumë fshatra të boshatisura gjatë dimrit.
Në fshatin historik të Nusfjordit, një vendbanim me vetëm 22 banorë, por me rreth 90 mijë vizitorë në vit, situata është e dukshme. Pasi industria e peshkimit u zhvendos, zona u kthye në një muze të gjallë dhe qendër turistike, ndërsa akomodimet dhe ndërtesat tradicionale janë restauruar.
Por në kontrast të plotë, në Henningsvær një fshat i gjallë edhe në orët e vona të natës adoleshentët luajnë futboll në një fushë të ndriçuar pranë detit, ndërsa peshkatarët punojnë rrjetat në port. ‘Peshku kafshon më mirë në mesnatë,’ thotë një prej tyre me humor.
Strategjia e re për ruajtjen e Lofotenit
Qeveria norvegjeze ka miratuar vendosjen e një takse për vizitorët në zonat me turizëm të lartë, që në Lofoten do të hyjë në fuqi në vitin 2026. Të ardhurat do të ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës, sinjalistikës dhe ruajtjen e shtigjeve natyrore. Kampanja lokale për ndërgjegjësimin e turistëve përfshin edhe fëmijë të shkollave që kërkojnë me mirësjellje nga vizitorët të mos hedhin mbeturina, të ngasin me kujdes dhe të mos shqetësojnë jetën e egër.
‘Ne nuk duam që Lofoteni të kthehet në një lloj Disneyland-i Arktik,’ thotë guidë lokale Erling Hansen. ‘Turizmi është jetik për ekonominë, por duhet menaxhuar me kujdes.’
Një thirrje për respekt
Teksa dielli i mesnatës ngjyros horizontin me tone të arta, Haugen dhe Berg ecin përgjatë bregut të Unstadit. Familjet përpiqen të bindin fëmijët që duhet të flenë, pavarësisht se dita nuk ka mbaruar ende.
‘Është e vështirë,’ thotë Berg. ‘Ne duam që njerëzit të dashurohen me Lofotenin vetëm jo aq shumë sa të mos jetë më Lofoten.’
Mes këtyre peizazheve magjepsës fshihen shtëpi, shkolla dhe jetë të përditshme. Banorët shpresojnë që vizitorët të mos jenë vetëm spektatorë, por të bëhen edhe mbrojtës të këtij thesari natyror.