Cubarsi: Është më e vështirë të markosh Yamal se sa të kalosh provimet e maturës
Pau Cubarsi ndau përshtypjet e tij për fazën përgatitore të Barcelonës, efektin që ka Lamine Yamal dhe objektivat e klubit katalanas për sezonin e ardhshëm.
Qendërmbrojtësi pranoi se disa skuadra tashmë e kanë kuptuar lojën e tyre me vendosjen në pozicion jashtë loje dhe se duhet të jenë më të vëmendshëm “në momente të caktuara të ndeshjes”.
Qetësia, pavarësisht moshës së re: “Nuk mbaj mend kur kam qenë nervoz për herë të fundit. Është e vërtetë që më thonë se jam shumë i qetë, në fakt jam i tillë gjithmonë. Edhe familja ime është e tillë. Në fushë më pëlqen të tregoj karakter, ndërsa jashtë saj jam shumë i qetë. Gjatë grumbullimeve fle gjumë pasdite. Nuk kam pasur kurrë ‘PlayStation’. Sa për muzikën, Lamine Yamal është DJ i dhomës së zhveshjes. Disa nga këngët që vë ai më pëlqejnë”.
La Liga: “Ndihemi gati për ta nisur kampionatin, jemi shumë të motivuar. Shpresojmë të jemi në nivelin e duhur. Duam të vazhdojmë me të njëjtin ritëm si sezonin e kaluar. Nuk kemi presion, duhet të vazhdojmë me të njëjtin entuziazëm dhe dëshirën për të fituar tituj”.
Rreth Lamine Yamal: “Në çdo ndeshje bën çfarë të dojë, luan si në oborrin e shkollës. Jemi shumë të lumtur që e kemi me ne. Për ditëlindjen e tij është folur më shumë në media sesa mes nesh. Ne ishim aty, por unë nuk u vesha me ndonjë kostum, isha më normal. Ta markosh Lamine në stërvitje është më e vështirë se sa të kalosh provimet e maturës, sepse ai mund të të dalë nga çdo anë, ndërsa në maturë, mjafton të studiosh. Matura më shkoi mirë, por mund të kishte shkuar edhe më mirë”.
Një mendim edhe për Champions: “Na mbeti shija e hidhur që nuk arritëm në finale, por sezoni i kaluar ishte i shkëlqyer. Duhet të japim edhe më shumë që të arrijmë deri aty”.
Rivaliteti me Real Madridin: “Ndeshjet ‘El Clásico’ duam t’i fitojmë gjithmonë, edhe kur janë miqësore, por kur luhet për trofe, aq më mirë. E kuptoj që përgatitjet e Real Madridit janë të vështira, sepse do të ketë pak pushime verore, por ne nuk fokusohemi te rivalët, shohim veten”.
“La Masia” që prodhon talente si ai dhe Yamal: “Një vit e gjysmë më parë isha vetë në të njëjtën situatë si ata që po vijnë tani në ekipin e parë. Të rinjtë na japin një shtysë të veçantë. Jam 18 vjeç, ndonjëherë njerëzit nuk e besojnë, por po, është e vërtetë”.
Nico Williams: “Sinqerisht, mendova se do të vinte nga ato që lexoja në media, por nuk dija gjë konkretisht. Jemi të kënaqur me ekipin që kemi. Në kombëtare nuk flisnim aq shumë për këtë temë. Flasim për jetën tonë. Mbase ka folur më shumë me Lamine”.