Neymar nën vëzhgim të veçantë, Ancelotti mund ta thërrasë në shtator te Brazili
Me kualifikimin për Botërorin 2026 tashmë të siguruar, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, është i përqendruar te përzgjedhja e skuadrës për dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Amerikës së Jugut.
Më 4 shtator, Brazili do të presë Kilin në “Maracanã”, ndërsa më 9 shtator do të përballet me Bolivinë në “El Alto”, në një lartësi prej 4.150 metrash mbi nivelin e detit.
Pika më e madhe e paqartësisë lidhet me grumbullimin e Neymarit.
Ylli i “Seleçao” po kalon një periudhë të vështirë. Ekipi i tij, Santos, ndodhet në zonën e rënies nga kategoria, por kjo nuk e ndalon Ancelottin.
Ish-trajneri i Milanit dhe Real Madridit ka dërguar disa anëtarë të stafit të tij për të ndjekur nga afër formën e lojtarit të lindur më 1992, në funksion të një grumbullimi të mundshëm.
Të hënën e ardhshme, Neymar do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Juventude, që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij me kombëtaren.
Neymar nuk ka luajtur me Brazilin që nga shtatori i vitit 2023, kur pësoi një dëmtim serioz në ligamentin dhe meniskun e gjurit të majtë.
Sot, ai ka rifituar njëfarë vazhdimësie, duke luajtur nga 90 minuta për 4 ndeshje radhazi, gjë që nuk ndodhte prej kohësh. Edhe pse nuk ka arritur ende nivelin e tij më të mirë, brenda kombëtares ekziston bindja se ai do të jetë gati për të dhënë spektakël në Botërorin e ardhshëm, ndoshta objektivi i fundit i madh i karrierës së tij.