Milner do të mbajë numrin 20 te Brighton, në kujtim të Diogo Jotës
James Milner, mesfushori 39-vjeçar i Brighton, do të mbajë këtë sezon fanellën me numrin 20 në Premier League, si një homazh për ish-bashkëlojtarin e tij te Liverpool, Diogo Jota.
Sulmuesi portugez, së bashku me vëllanë e tij André Silva, humbën jetën në fillim të korrikut në një aksident tragjik në veri-perëndim të Spanjës, kur automjeti i tyre tip Lamborghini doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë.
Jota mbante numrin 20 gjatë tre sezoneve të tij te Liverpool, ku ishte shok skuadre me Milner, përpara se ky i fundit të transferohej te Brighton në vitin 2023.
"Kur mësova se Carlos Baleba dëshironte të ndryshonte numër dhe se 20 ishte i lirë, e kërkova menjëherë," deklaroi Milner. "Dëshiroj të nderoj Diogon – ishte një futbollist i shkëlqyer dhe një mik i mrekullueshëm. Do të jetë një nder ta mbaj numrin e tij në Premier League."
Në shenjë respekti, klubi i Liverpool ka vendosur të tërheqë përgjithmonë fanellën me numrin 20, pas konsultimeve me bashkëshorten e Jotës, Rute, dhe familjen e tij. Ky numër nuk do të përdoret më as në ekipin e parë, as në atë të femrave, dhe as në akademi.
Ndërkohë, Milner, i cili ka rinovuar kontratën edhe për një vit me Brighton, është shumë pranë thyerjes së rekordit historik të paraqitjeve në Premier League. Aktualisht, ai numëron 638 ndeshje, vetëm 15 më pak se rekordi absolut i Gareth Barry me 653.