Mijëra biseda të Chat GPT 'dolën sheshit' në Google! Open AI merr masa
OpenAI ka pezulluar një funksion që i lejonte përdoruesit të ndanin publikisht bisedat e tyre me ChatGPT dhe t’i bënin të aksesueshme nga motorët e kërkimit si Google. Ky vendim erdhi pas zbulimeve se mijëra biseda të tilla ishin shfaqur në rezultatet e kërkimit, përfshirë edhe disa që përmbanin informacione personale apo të ndjeshme.
Sipas OpenAI, bisedat me ChatGPT janë private dhe nuk përdoren për trajnimin e modeleve pa pëlqimin e përdoruesit. Megjithatë, platforma ofronte një funksion që u lejonte përdoruesve të krijonin një link publik për ndarjen e bisedave, dhe nëse ata zgjedhin ta bënin këtë link të indeksueshëm, ai mund të shfaqej në motorët e kërkimit.
Rastet e fundit treguan se shumë nga këto biseda ishin bërë të aksesueshme përmes një kërkimi të thjeshtë në Google, ku shfaqeshin tema të ndryshme nga udhëzime të zakonshme, te diskutime personale, e deri te raste ku mund të identifikohej një individ nga përmbajtja e bisedës.
Pas reagimeve në media dhe rrjetet sociale, OpenAI vendosi të çaktivizojë funksionin e indeksimit në mënyrë përfundimtare. Dane Stuckey, drejtori për sigurinë e informacionit në OpenAI, tha se funksioni ishte një eksperiment për të ndihmuar përdoruesit të gjenin biseda të dobishme, por që krijonte rrezik që përdoruesit të ndanin pa dashje përmbajtje të ndjeshme.
Aktualisht, nuk është më e mundur që një bisedë me ChatGPT të gjendet në Google përmes kërkimit, dhe OpenAI po punon për të fshirë përmbajtjet që janë indeksuar më parë. Përdoruesit që kanë ndarë më parë biseda, mund t’i menaxhojnë ose t’i fshijnë ato nga seksioni “Linket e ndara” në cilësimet e profilit të tyre. Për linket që tashmë janë indeksuar, ata mund të kërkojnë fshirjen edhe përmes veglës zyrtare të Google.