Budapest: Kryebashkiaku merret në pyetje nga policia pas pjesëmarrjes në marshimin më të madh në historinë e Hungarisë

Kryebashkiaku liberal i Budapestit, Gergely Karácsony, u paraqit të premten në Byronë Kombëtare të Hetimit, ku u mor në pyetje nga autoritetet lidhur me organizimin e marshimit LGBTQ+ Pride më 28 qershor – një ngjarje që qeveria e Viktor Orbán kishte tentuar ta ndalonte me ligj. Rreth 200 mbështetës u mblodhën jashtë ndërtesës për të shprehur solidaritetin me të, ndërsa Karácsony deklaroi se në lojë është “vetë liria e shoqërisë hungareze”.

Ngjarja shënoi pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë në një Pride në Hungari, me mbi 300 mijë vetë që sfiduan ndalimin e miratuar nga partia në pushtet, Fidesz. Sipas ligjit të ri, i miratuar në mars, ndalohet organizimi i eventeve të këtij lloji dhe lejohet përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës për identifikimin e pjesëmarrësve, në emër të “mbrojtjes së moralit dhe zhvillimit shpirtëror të fëmijëve”.

Kryeministri Viktor Orbán dhe partia e tij kanë vazhduar ta përshkruajnë Pride-in si një kërcënim për fëmijët dhe si shkelje të të drejtave kushtetuese të tyre. Një ndryshim i fundit në Kushtetutë e vendos këtë të drejtë mbi të tjera liri themelore, përfshirë të drejtën për tubim paqësor.

Ndërkohë që autoritetet kanë vendosur të mos ngrejnë akuza ndaj pjesëmarrësve të Pride-it, hetimet ndaj organizatorëve vijojnë. Vetë Karácsony u akuzua zyrtarisht për organizimin e një ngjarjeje të ndaluar, por refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të policisë. “Nuk mund të ndalosh as dashurinë dhe as lirinë në Budapest,” deklaroi ai para mbështetësve, duke shtuar se “nëse nuk mund të ndalohen, atëherë nuk mund të ndëshkohen”.

Presidentja e Budapest Pride, Viktória Radványi, lavdëroi qëndrimin e kryebashkiakut, duke theksuar se “të jesh kryetar bashkie nuk do të thotë vetëm të kujdesesh për dritat dhe transportin publik, por edhe të mbrosh të drejtat themelore të qytetarëve”.

Në përfundim të paraqitjes para hetuesve, Karácsony deklaroi se qeveria e Orbánit është “e dobësuar dhe nuk ndikon më në mendimin e njerëzve”. Ai i bëri thirrje qytetarëve të shohin drejt zgjedhjeve të ardhshme kombëtare si një mundësi për ta rikthyer Hungarinë në rrugën evropiane, duke theksuar se “ose jemi të gjithë të lirë bashkë, ose asnjëri prej nesh nuk është”.