Argjentinë/ Google e fotografoi vetëm me të brendshmet në shtëpinë e tij, polici fiton gjyqin pas 8 viteve

Një polic argjentinas fitoi pas 8 vitesh betejë ligjore ndaj Google, pasi u fotografua pa dijeninë e tij nga makina e kompanisë duke qëndruar vetëm me të brendshme në oborrin e shtëpisë së tij.

Rasti ndodhi në vitin 2017, kur automjeti i Google po xhironte për aplikacionin Street Vieë, një platformë që ka revolucionarizuar mënyrën e lëvizjes dhe eksplorimit të botës, duke përdorur miliona imazhe panoramike nga Google dhe përdoruesit.

Megjithatë, kjo histori nxjerr në pah sfidat për mbrojtjen e privatësisë në epokën dixhitale.

Fotografia që shfaqte burrin nga pas, i ulur me të brendshme në oborr, u shpërnda në media dhe rrjete sociale, duke shkaktuar ndjenjën e turpit dhe cenimit të dinjitetit për të.

Ai paditi Google për shkelje të privatësisë dhe, megjithëse në fillim gjykata e akuzoi atë për “veshje të papërshtatshme në kopshtin e tij” dhe përgjegjësi për ekspozimin, vendimi u rishqyrtua nga Apeli.

Në shkallën e dytë të gjykimit, u vendos se Google kishte ndërhyrë në jetën private të tij duke cenuar dinjitetin, dhe tani kompania duhet t’i paguajë atij rreth 11,000 euro dëmshpërblim për dëmin moral. Ky rast hedh dritë mbi nevojën për të mbrojtur të dhënat personale dhe privatësinë në epokën e imazheve dixhitale dhe të rrjeteve sociale.