Deklaratë e fortë nga Moska/ Putin: Europa nuk ka më sovranitet
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Bashkimi Europian ka humbur plotësisht sovranitetin e tij. Në një video të bërë publike, ai u shpreh se “ishte e qartë që Bashkimi Europian, që Europa në tërësi, nuk kishte shumë sovranitet. Tani është bërë e dukshme që nuk ka aspak”.
Këto komente përforcojnë akuzat e vazhdueshme të Kremlinit se vendet europiane ndjekin verbërisht politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në lidhje me luftën në Ukrainë. Putin i ka kritikuar shpesh udhëheqësit europianë për, siç e cilëson ai, “varësinë e tyre politike dhe ushtarake ndaj Uashingtonit”.
Putin paralajmëroi se kjo mungesë sovraniteti nuk është vetëm politike, por po sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike. “Në këtë situatë kritike, mungesa e sovranitetit pasohet menjëherë nga humbje ekonomike. Humbja e sovranitetit politik po çon tashmë në humbjen e sovranitetit ekonomik – dhe në dëme të mëdha”, u shpreh ai.
Deklarata e presidentit rus vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Brukselit janë në një nga pikat më të ulëta që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Sanksionet ekonomike, lufta energjetike dhe krizat diplomatike kanë përshkallëzuar retorikën midis dy palëve, ndërsa Rusia përpiqet të përçajë aleancën transatlantike dhe të minimizojë ndikimin perëndimor në rajonin e saj.
Gjithashtu kujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur presionin ndaj Moskës duke e paralajmëruar me sanksione të ashpra. Ai po ashtu në fillim të muajit u vendosi palëve 50 ditë kohë që të pajtoheshin për një armëpushim. Por, më pas ai tha se i jep Rusisë 10 deri në 12 ditë kohë për përfundimin e luftës së nisur në shkurt të vitit 2022.
Putin thinks the EU doesn't have sovereignty:
— Anton Gerashchenko (@Gerashchenko_en) August 1, 2025
"It was clear that the European Union, that Europe as a whole, didn’t have much sovereignty. Now it has become obvious that it has none at all. And in the current critical situation, that lack of sovereignty is immediately followed… pic.twitter.com/6ygUyvZI29