SYRI TV/ Kodi Penal i qeverisë alarmon BE, reagojnë zyrtarisht për Syri Televizion
Penal, duke kundërshtuar ashpër nenet e propozuara nga ekspertët e qeverisë, që cenojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Në një reagim për Syri Televizion, Bashkimi Europian u shpreh i alarmuar për ndryshimet e parashikuara në Kodin e ri Penal, ndërsa thotë se nuk ka qenë pjesë e konsultimeve për ndryshimet në Kod. Bashkimi Europian është konkret kur, teksa shprehet se ndryshimet në Kodin Penal duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e vendeve anëtare të unionit, kërkon nga qeveria shqiptare të dekriminalizojë shpifjen.
Bashkimi Europian është alarmuar nga ndryshimet në Kodin Penal, që janë propozuar nga një grup ekspertësh në vend. Teksa gjatë ditës, Bashkimi Europian reagoi për mediat duke dalë kundër këtyre ndryshimeve, gjatë pasdites së kësaj të premteje zyra e delegacionit të Bashkimit Europian ka ashpërsuar qëndrimet ndaj Kodit të ri Penal. Në një reagim zyrtar për Syri Televizion, Bashkimi Europian shprehet i alarmuar për propozimin e disa neneve në Kodin Penal, të cilat kufizojnë lirinë e medias, apo të drejtat themelore të qytetarëve.
Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe aktualisht po shqyrton projekt-ndryshimet e propozuara, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh. Megjithatë, jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara. Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen.
Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se drafti do t’i dërgohet për shqyrtim Komisionit Europian, përmes reagimit për Syri Televizion, Bashkimi Europian deklaron se nuk ka qenë pjesë e hartimit të këtij drafti dhe kërkon konsultim gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët për ndryshimet e reja në Kodin Penal.
Rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë. BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.
Më tej, Bashkimi Europian e vendos fokusin te nevoja për të përafruar legjislacionin dhe reformat me ato të vendeve të unionit. Madje, Bashkimi Europian del hapur kundër neneve që cenojnë lirinë e shprehjes, duke kërkuar nga qeveria që të dekriminalizojë shpifjen dhe të rishikojë kuadrin ligjor për trafikun e drogës, apo dhe pastrimin e parave.
Në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t'u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshimeve legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (p.sh. dekriminalizimi i shpifjes, rishikimi i kuadrit ligjor për trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, abuzimin me fëmijët, armët e zjarrit, pastrimin e parave). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.
Një pjesë e ndryshimeve të reja në Kodin Penal, parashikojnë masa ndëshkimore me burg për fjalën e lirë, apo për të tjera shkelje administrative që në asnjë vend të Bashkimit nuk dënohen me heqje lirie.