SHBA/ Zbulohet një fole grerëzash radioaktive në Karolinën e Veriut
Një fole grerëzash me nivele rrezatimi dhjetë herë më të larta se ato të lejuara nga rregulloret është zbuluar në një strukturë që dikur prodhonte komponentë për armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara, njoftuan zyrtarët federalë amerikanë.
Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Energjisë, i publikuar javën e kaluar, foleja u spërkat për të eleminuar grerëzat dhe më pas u paketua në një qese, sikur të ishte mbetje radioaktive.
Foleja u gjet nga punonjës që kryenin inspektime për rrezatim bërthamor në kompleksin pranë lumit Savannah, afër Aiken-it në Karolinën e Jugut, raporton BBC.
Foleja ishte vendosur mbi një shtyllë pranë rezervuarëve ku ruhen miliona litra mbetje bërthamore të lëngshme, megjithatë raporti sqaron se nuk është konstatuar asnjë rrjedhje nga këto depozita.
Ekspertët lidhin nivelet e larta të rrezatimit në fole me mbetjet radioaktive të mbetura nga periudha kur ky vend prodhonte pjesë për bomba bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë. Ata nënvizojnë se ndotja nuk ka lidhje me ndonjë rrjedhje aktuale të mbetjeve bërthamore dhe nuk ka pasur ndikim në mjedis apo në shëndetin publik.
Megjithatë, organizatat mjedisore kanë kritikuar trajtimin e situatës nga autoritetet, duke kërkuar sqarime më të thella për burimin e rrezatimit dhe mundësinë e ndonjë rrjedhjeje të fshehur.
Ky kompleks, i hapur në vitet 1950 për prodhimin e plutoniumit që përdorej në armët bërthamore, vazhdon të funksionojë edhe sot, duke u fokusuar kryesisht në materialin bërthamor për termocentralet elektrike.