Ligji i 'memeve'/ Qeveria i shpall luftë humorit dhe kritikës ndaj udhëheqesit, ndëshkon me burg këdo që kthen Ramën dhe Begajn në objekt talljeje

Dikur mësonim në librat e historisë për kohët kur një batutë e thjeshtë ndaj udhëheqjes mjaftonte për të përfunduar në burg. Sot, duket se ai kapitull po ribotohet, por me ngjyrime moderne dhe firmën e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Drafti i ri i Kodit Penal, aktualisht në shqyrtim, përmban një nen që parashikon dënimin deri në tre vite burg për “përdhosje” të institucioneve të larta të shtetit, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave.

Neni 235 i draftit specifikon se “tallja, përçmimi apo përbuzja” ndaj Republikës dhe simboleve të saj do të konsiderohen vepra penale. Në mënyrë të detajuar, ligji propozon dënime për këdo që shprehet me ironi, satirë apo kritika të ashpra ndaj udhëheqjes, sidomos në raste ceremoniale apo gjatë ngjarjeve publike. Në një klimë politike të mbushur me skandale, ku SPAK heton ende zgjedhjet e vitit 2021 dhe fondet publike shndërrohen në tym, qeveria zgjedh të merret me qytetarët që bëjnë meme dhe postime thumbuese.

Ironia shtohet kur pikërisht në ditën e publikimit të këtij drafti, kryeministri Rama shfaqet LIVE me një palë syze të kuqe në stilin e Elton Ilirjanit, duke dhënë një fjalim solemn në Facebook. Pamja e tij u bë menjëherë subjekt memes dhe shakave në rrjet – pikërisht ajo që drafti i ri dënon si krim.

Ky propozim ligjor shihet gjerësisht si një përpjekje për të heshtur kritikën përmes instrumenteve penale. Aktivistë, gazetarë dhe qytetarë e kanë krahasuar me praktika autoritare të së kaluarës. Ata theksojnë se humori, satira dhe ironia janë pjesë thelbësore e një demokracie të shëndetshme, ndërsa tentativa për t’i kriminalizuar ato dëshmon pasigurinë e pushtetit.

Në vend të një shteti ligjor europian, kritikët thonë se po krijohet një sistem ku qeveria qesh vetëm kur bën vetë batutat, ndërsa qytetarët ndëshkohen për to. Në këtë realitet të ri, tallja nuk është më thjesht një formë shprehjeje, por një rrezik penal. Dhe kështu, ndërsa mijëra shqiptarë largohen nga vendi në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, qeveria mbetet këtu – duke mbrojtur veten nga qeshja.