Finlandë/ Presidenti Stubb i gatshëm të miratojë njohjen e Palestinës, nëse ja propozon qeveria
Presidenti i Finlandës, Aleksander Stubb, deklaroi të enjten se është i gatshëm të miratojë njohjen e shtetit të Palestinës, nëse qeveria finlandeze i paraqet një propozim përkatës.
“Izraelitët dhe palestinezët kanë vuajtur tepër dhe për një kohë shumë të gjatë”, shkroi Stubb në një postim në platformën X, duke theksuar se Izraeli përballet me 'një kërcënim të vërtetë dhune' nga Hamasi, organizata të tjera terroriste dhe shtete që nuk e njohin ekzistencën e tij.
Ai e përshkroi gjendjen aktuale në Rripin e Gazës si ‘çnjerëzore’, duke nënvizuar se 'fëmijët po vdesin nga uria për shkak të mungesës së ndihmës ushqimore' dhe se 'civilet që kërkojnë ushqim po qëllohen'.
Presidenti finlandez theksoi nevojën për një zgjidhje afatgjatë përmes modelit me dy shtete, duke shtuar se vendimet e shteteve si Franca, Britania dhe Kanadaja përforcojnë perspektivën për njohjen e Palestinës dhe mund të kontribuojnë në rinisjen e procesit të paqes.
Duke pasur parasysh se në Finlandë presidenti bashkëkrijon politikën e jashtme së bashku me qeverinë, Stubb deklaroi se do të mbështesë njohjen e shtetit palestinez nëse një nismë e tillë i propozohet nga kabineti qeveritar.
Ai pranoi se brenda shoqërisë finlandeze ekzistojnë qëndrime të ndryshme për këtë çështje dhe bëri thirrje për një 'dialog të hapur dhe të sinqertë, të bazuar në fakte të argumentuara' mbi politikën e jashtme, përfshirë edhe qëndrimin e Finlandës ndaj çështjes palestineze.