Duka uron klubet shqiptare për arritjet e deritanishme në kompeticionet europiane
Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u ka dërguar letra urimi pesë ekipeve shqiptare që do të vijojnë rrugëtimin në kompeticionet e UEFA-s.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përgëzon klubet e Egnatia-s, Dinamo City-t, Ballkani-t, Dritës dhe Shkëndijës për paraqitjet e tyre dinjitoze në raundet kualifikuese të UEFA Champions League dhe UEFA Conference League.
Duka u uroi suksese në ndeshjet e radhës.
Egnatia do të përballet me Olimpija Ljubljana në turin e tretë të Conference League, ndërsa Dinamo City do të luajë kundër Hajduk Split.
Pas eliminimit nga FC Copenhagen, Drita do të përballet me FCSB në raundin e tretë të Europa League.
Sakaq, Ballkani do të luajë ndaj Shamrock Rovers në raundin e tretë Conference League teksa Shkëndija e Tetovës që ka shkruar historinë duke u kualifikuar në turin e tretë të Champions League, do të përballet me Qarabag.