Serbi/ Gjashtë të arrestuar për tragjedinë e Novi Sadit, mes tyre një ish-ministër
Policia serbe ka kryer arrestime të gjera lidhur me tragjedinë e ndodhur më 1 nëntor 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona si pasojë e shembjes së çatisë së objektit.
Deri tani janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe Tomisllav Momiroviç, ish-ministër i Ndërtimit dhe Infrastrukturës gjatë periudhës 2020–2022.
Sipas mediave serbe, Momiroviç u ndalua në aeroportin e Beogradit pak para se të hipte në një fluturim drejt jashtë vendit.
Autoritetet kanë tentuar të ndalojnë edhe një tjetër ish-ministër, Goran Vesiq, por ai nuk ndodhej në banesën e tij në momentin e kontrollit. Më vonë u bë e ditur se Vesiq është dërguar me urgjencë në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Vesiq mbajti postin e ministrit të Ndërtimit dhe Infrastrukturës nga viti 2022 deri në mesin e nëntorit 2024, kur dha dorëheqjen pas tragjedisë në stacionin hekurudhor.
Mes të ndaluarve janë gjithashtu edhe zëvendësministrja e po të njëjtit dikaster, si dhe drejtues të kompanive që ishin përfshirë në punimet e rikonstruksionit të stacionit.
Ngjarja ndodhi vetëm tre muaj pas përfundimit të punimeve për rinovimin e stacionit.
Sipas një njoftimi nga Prokuroria Speciale për Krimin e Organizuar, arrestimet janë pjesë e një hetimi për korrupsion të mundshëm gjatë rindërtimit të linjës hekurudhore që lidh Beogradin me kufirin hungarez.
Prokuroria thekson se të ndaluarit, së bashku me pesë persona të tjerë që janë në kërkim, dyshohen për “shkelje të rënda financiare me qëllim përfitimi personal”. Sipas autoriteteve, veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit shtetëror një dëm prej rreth 115 milionë dollarësh.
Tragjedia e Novi Sad-it shkaktoi reagime të forta në opinionin publik. Studentët, të cilët kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale, kanë mbajtur të zëna fakultetet e universiteteve publike që nga nëntori i vitit të kaluar.
Sot, me rastin e nëntëmujorit të ngjarjes, në Novi Sad dhe në të gjitha qytetet e mëdha të Serbisë do të organizohen tubime përkujtimore në nder të viktimave.