Kolo Muani më pranë Juventusit, marrëveshja me PSG-në po merr formë

Randal Kolo Muani është gjithnjë e më pranë rikthimit te Juventusi. Sulmuesi francez, që prej kohësh është objektivi kryesor për të kompletuar repartin ofensiv të "Zonjës së Vjetër", është në qendër të negociatave intensive mes klubit torinez dhe Paris Saint-Germain. Edhe pse ende nuk ka një marrëveshje totale, çdo ditë duket se mozaiku i këtij operacioni po bëhet më i qartë dhe më i realizueshëm.

PSG tashmë e vlerëson sulmuesin rreth 50 milionë euro, një shifër më e ulët se më parë, ndërsa Juventusi ka bërë disa hapa përpara, duke ofruar formulën e huazimit me detyrim blerjeje, praktikisht një marrëveshje e garantuar për transferimin e tij në Torino. Edhe pse disa detaje, si çmimi final, mbeten ende për t’u përcaktuar, tek Juventusi ndihen optimistë për përfundimin e marrëveshjes.

Raportet mes dy klubeve janë shumë të mira dhe vetë Kolo Muani ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të kaluar te Juventusi, duke refuzuar ide të tjera nga klubet angleze. Ai kërkon të rifillojë aty ku e la pas Kampionatit Botëror për Klube, ku realizoi 10 gola mes fundit të janarit dhe korrikut. Edhe për PSG-në, shitja përfundimtare do të ishte pozitive, pasi do të lironte një nga gjashtë kuotat për huazimet ndërkombëtare të lejuara nga FIFA.

Edhe pse dështoi tentativa për ta bashkuar sulmuesin me grupin për fazën përgatitore në Gjermani, qëllimi i Juventusit është ta ketë Kolon në dispozicion para mesit të gushtit, sapo skuadra të kthehet nga grumbullimi. Trajneri Igor Tudor e pret me durim afrimin e ri për vijën e parë të sulmit.