Vendimi i GJED-së për emigrantët/ Schlein: Meloni shkeli ligjin për t’i kaluar përgjegjësinë një vendi tjetër jashtë BE-së!

Nga Alba Kepi

Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, ka shprehur edhe njëherë kundërshtinë e saj të fortë ndaj marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe Shqipërisë për ndërtimin e qendrave për migrantët jashtë territorit të BE-së. Në një deklaratë të bërë gjatë një aktiviteti elektoral në rajonin Marche, Schlein akuzoi qeverinë Meloni për “zgjedhje të paligjshme dhe çnjerëzore”, duke u thirrur në vendimin e fundit të Gjykatës Evropiane që, sipas saj, dënon qartazi veprimet e ekzekutivit italian.

“Gjykata Evropiane i ka dhënë të drejtë opozitës dhe ka treguar se qeveria ka shkelur ligjet italiane dhe ato evropiane. Le të mos thonë sërish se kjo është një përpjekje për të bllokuar reformën e drejtësisë në Itali. Është koha që Meloni të marrë përgjegjësitë për një vendim të paligjshëm”, – deklaroi Schlein.

Sipas saj, qendrat e ngritura në territorin shqiptar janë “çnjerëzore” dhe bien ndesh me të drejtat themelore të migrantëve dhe azilkërkuesve. “Janë përjashtuar nga mbrojtjet ligjore që çdo qenie njerëzore meriton, vetëm për t’ia kaluar barrën e përgjegjësisë një vendi tjetër jashtë BE-së”, shtoi ajo.

800 milionë euro të shpërdoruara?

Një tjetër pikë kritike në fjalimin e saj ishin kostot ekonomike. Schlein denoncoi se janë shpërdoruar më shumë se 800 milionë euro nga buxheti i shtetit italian për ndërtimin dhe menaxhimin e këtyre strukturave. “Me ato para mund të kishim punësuar mijëra mjekë, infermierë e mësues në Itali”, theksoi ajo.

Sipas vëzhgimeve të vetë Schlein gjatë një vizite në Shqipëri disa muaj më parë, qendrat në Gjader dhe Shëngjin ishin “praktikisht bosh”, ndërkohë që kostot e mirëmbajtjes mbeten të larta. “Ky projekt është një eksperiment i dështuar, një flamur ideologjik i ngritur mbi të drejtat e njerëzve më të pambrojtur”, u shpreh ajo.

Opozita italiane e konsideron këtë Pakt me Shqipërinë një përpjekje për të “eksternalizuar” problemet pa adresuar shkaqet themelore të migracionit dhe pa respektuar standardet ligjore dhe humane.