Është në përfundim të kontratës, Messi e ka vendosur të ardhmen

Në përfundim të kontratës me Inter Miamin, Lionel Messi duket se e ka marrë tashmë vendimin për të ardhmen e tij. Sipas ‘Catalunya Radio’, kapiteni i Argjentinës do të rinovojë kontratën me klubin e Major League Soccer (MLS) deri në vitin 2028. Me këtë marrëveshje të re, sulmuesi do të jetë pjesë e Inter Miami deri në moshën 41-vjeçare.

Performanca e Messit në MLS

Messi u transferua në SHBA pas dy sezoneve me Paris Saint-Germain. Në vitin 2023, ai realizoi 11 gola dhe dha 5 asistime në 14 ndeshje. Në vitin pasardhës, kampioni i botës me Argjentinën në Katar shënoi 23 gola dhe dha 13 asistime në 25 takime. Ndërsa këtë vit, ai ka 24 gola dhe 10 asistime në 30 ndeshje deri më tani.

Rikthimi te Barcelona?

Nëse rinovimi konfirmohet, një rikthim i Messit te Barcelona, ku ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës, bëhet thuajse i pamundur. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ai të veshë edhe një herë fanellën ‘blaugrana’ në një ndeshje homazh për të nderuar trashëgiminë e tij te klubi katalanas.