Dhuratë 40 mln euro në bitcoin nga trafikanti i drogës/ Raporti i auditit: Ministria çeke e Drejtësisë s’duhej ta kishte pranuar!

Ministria çeke e drejtësisë nuk duhej të kishte pranuar një dhuratë që tregonte shenja të rëndësishme se mund të lidhej me aktivitet kriminal, zbuloi një audit i jashtëm.

Dhurimi prej 40 milionë eurosh në bitcoin për ministrinë nga një trafikant droge i dënuar, tronditi politikën çeke në qershor dhe shkaktoi dorëheqjen e ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Pavel Blažek, i cili vjen nga Partia Demokratike Qytetare (ODS) konservatore e kryeministrit Petr Fiala.

Ministria e nxori  dhuratën në ankand në këmbim të parave të gatshme në një shitje publike, duke i sjellë qeverisë dhjetëra milionë euro.

“Para se të pranonte donacionin, Ministria e Drejtësisë ishte në dijeni të rrethanave përkatëse që tregonin një rrezik të konsiderueshëm, se donacioni mund të kishte origjinën nga të ardhurat e aktivitetit kriminal”, thuhet në përmbledhjen e pjesës së parë të auditimit, të kryer nga firma globale Grant Thornton, të postuar nga ministria në llogarinë e saj X të enjten.

“Në këto rrethana, ne besojmë se Ministria e Drejtësisë nuk duhej ta kishte pranuar donacionin pa ndërmarrë hapa të mëtejshëm pasues për të eliminuar këtë rrezik”, përfundoi firma e auditimit.

Lexo edhe: 'Dhuratë falas'/ Pranoi 40 milionë euro në bitcoin nga një i dënuar për trafik droge, ministri çek i Drejtësisë jep dorëheqjen

Blažek, ish-ministri i cili pretendon se veproi ligjërisht, tha se gjetjet “nuk tregojnë shkelje të ndonjë detyrimi apo rregulloreje specifike ligjore”.

“Nuk ka gjetje të reja, vetëm një tekst të hartuar për tituj kryesorë, por me përmbajtje të vjetëruar. Megjithëse, thonë se përsëritja është nëna e mençurisë”, shtoi ai në një postim në X.

Policia dhe Shtabi Kombëtar për Luftimin e Krimit të Organizuar, po hetojnë nëse donacioni erdhi nga pastrimi i parave.

Ministrja e re e Drejtësisë, Eva Decroix, premtoi të hetojë skandalin përpara zgjedhjeve parlamentare çeke që do të zhvillohen në tetor./ Politico.