Emigrantët/ GjED-ja ‘rrëzoi’ paktin Rama-Meloni, Renzi: Po shpërdorohen miliona euro në Shqipëri
Teksa Gjykata Evropiane e Drejtësisë i dha një ‘shuplakë’ të fortë marrëveshjes së dy kryeministrave Meloni-Rama për dy qendrat e pritjes së emigrantëve në Lezhë, një vendim i tillë nuk është pritur aspak mirë nga qeveria Meloni dhe aleatët e saj të koalicionit.
Por për opozitën, një vendim i tillë i GJED-së, flet qartë mbi atë se çfarë po bën kryeministrja italiane Georgia Meloni, e cila vijon të shpërdorojë paratë e taksapaguesve italianë.
Në një reagim të fundit, ish kryeministri italian, Matteo Renzi, thekson se një situatë e tillë shkon përtej absurdit, me shpresën se me vendimin e fundit të GJED-së, t’i jepet fund asaj që po ndodh me qendrat e pritjes së emigrantëve në Lezhë.
‘Giorgia Meloni po shpërdoron në Shqipëri qindra miliona euro nga taksapaguesit, megjithëse gjykatës në mbarë botën po i japin të drejtë kundërshtarëve të saj. Kjo po bëhet gjithnjë e më absurde! Shpresoj që tani më në fund të ndalet. Edhe sepse gjykatësit e radhës që do të merren me këtë çështje do të jenë gjykatësit e Gjykatës së Llogarive. Dhe aty, siç dihet, politikanët japin llogari personalisht’, thuhet në reagimin e ish-kryeministrit italian, Matteo Renzi.
Lexo edhe: 'Gjadri ju largon nga Evropa'/ Renzi: Unë e njoh Ramën, atij i intereson vetëm të kënaqë Melonin
Renzi ka qenë një kritik i fortë i marrëveshjes Rama-Meloni, e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar mes dy qeverive respektive, duke e cilësuar atë një marrëveshje që jo vetëm rëndon buxhetin italian, por as nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës së emigrantëve që zbarkojnë në Itali.