Një këndvështrim ndryshe mbi skandalin ndaj afganëve: Vendet po i detyrojnë të rikthehen nën regjimin e talebanëve
Publiku britanik zbuloi vetëm së fundmi se një shkelje aksidentale gjigante të dhënash nga një zyrtar para tre vitesh vendosi 100 mijë afganë para rrezikut të torturës dhe vdekjes. Disa prej tyre kishin bashkëpunuar me forcat britanike në Afganistan. Rezultati ishte se mijëra u rikthyen fshehtësisht në Mbretërinë e Bashkuar. Një urdhër special (ndalim i publikimit jo vetëm të informacionit, por edhe ekzistencës së vetë urdhrit), e fshehu historinë për thuajse dy vjet.
Por dështimi shokues i sigurisë është larg nga të qenët shembulli i vetëm i afganëve të lënë në baltë qëkur Kabuli la në duart e talebanëve në 2021. Shumë më shumë janë në rrezik sepse vendet drejt të cilave u arratisën po i përzënë. Mirazhi i një regjimi më të zbutur taleban u shkërmoq nga vendosja e aparteidit gjinor dhe mizorisë ndaj minoriteteve. Tri të katërtat e popullsisë kanë vështirësi që të plotësojnë nevojat ditore. Gratë janë veçanërisht të cenueshme. Mbështetja humanitare po përgjysmohet. Thatësira dhe humbja e reminitancave po thellojnë krizën.
Nga ana tjetër, vetëm këtë vit, thuajse 2 milionë refugjatë afganë dhe emigrantë në vendet fqinje janë kthyer ose detyruar të rikthehen në atdhe, mijëra prej tyre janë fëmijë të pashoqëruar, thonë ekspertët e Kombeve të Bashkuara. Mbi 1,5 milionë afganë u kthyen nga Irani në 2025 pas përshpejtimit të ekspulseve të këtij të fundit pas luftës me Izraelin që nxiti dyshime ndaj emigrantëve.
Pakistani nisi deportimin e afganëve të paregjistruar në fund të vitit 2023, pas sulmeve të militantëve në zonat kufitare por e ka zgjeruar fushatën ndaj atyre që kanë dokumente. Më shumë se dy të tretat nuk kanë jetuar kurrë në Afganistan, sipas Grupit të Krizës Ndërkombëtare, familjet e tyre iu larguan luftës dekada më parë. Në disa raste, forcat e sigurisë po i riatdhesojnë afganët me forcë. Në disa të tjera, kërcënimet, ngacmimet ose frika i kanë përzënë.
Administrata Trump njoftoi heqjen e statusit të mbrojtjes së përkohshme nga thuajse 12 mijë afganë në SHBA, edhe pse gjykata e apelit e ka penguar për momentin. SHBA tha se kushtet në Afganistan nuk e meritojnë më statusin. Edhe Taxhikistani i ka urdhëruar afganët të largohen.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se ish-zyrtarë ku përfshihen gjykatës, avokatë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe kritikë të talebanëve, bashkë me minoritetet religjioze dhe etnike, janë veçanërisht në rrezik nëse rikthehen.
Gratë dhe vajzat po deportohen në një vend ku nuk mund ta ndjekin më shkollën e mesme ose universitetin dhe ndalohet që zëri i tyre të dëgjohet jashtë shtëpisë dhe BE ka vlerësuar se shërbimet mjekësore bazë janë të disponueshme për vetëm 10% të grave. Duke larguar gratë nga punët dhe duke kufizuar ashpërsisht lëvizjet e tyre, talebanët janë siguruar që shtëpitë që kanë gratë në krye të përballen me skamjen. Rikthimi është i frikshëm për aktivistët e të drejtave të grave që përballen me burgim ose vdekje për punën e tyre.
Pakistani dhe Irani nuk duhet t’i detyrojnë afganët të rikthehen në shtëpi, duke rrezikuar jetë dhe dhënë fund edukimit të vajzave. Por edhe qeveritë e tjera mbajnë gjithashtu përgjegjësi për krizën. Kombe më të varfra janë lënë që të mbajnë peshën e një numri të lartë refugjatësh, disa prej të cilave janë në limite për shkak të mbylljes së programit të pranimit humanitar të Gjermanisë dhe burokracive të një programi të ngjashëm në Australi. Ka qenë një dështim i trefishtë: një dështim për të mirëpritur afganët që kanë një arsye të fortë për t’u strehuar, për t’i mbështetur në vendet që i kanë pranuar dhe për të ndihmuar ata që po rikthehen në Afganistan. Vendet perëndimore duhet të mbajnë premtimet e tyre ndaj popullit afgan.