Trump beson se Netanyahu po e zgjat luftën për të shpëtuar pushtetin e tij

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, beson se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke e zgjatur luftën e vendit të tij në Gaza që ai vetë ta ruajë pushtetin politik, sipas dy zyrtarëve të administratës së Trumpit.

Në raportin e së enjtes pretendohet se, duke u mbështetur në disa burime të paidentifikuara, Trumpi dhe shumë prej ndihmësve të tij janë më të etur se kurrë më parë që ta sjellin fundin e luftimeve në Gaza në kohën e reagimeve të gjera për sjelljen e Izraelit në luftë, përfshirë një fraksion në rritje të izolacionistëve në Partinë Republikane të ShBA-së.

Kur bisedimet për një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve edhe një herë po ballafaqohen me pengesa të konsiderueshme, presidenti amerikan thuhet se është bindur që Izraeli tashmë i ka arritur qëllimet e veta ushtarake në Gaza para një kohe të gjatë dhe se luftimet e tanishme po nxiten kryesisht nga interesat politike të Netanyahut.

Sipas raportit, Trumpi nuk është i motivuar vetëm nga shqetësimet humanitare që po e kërkon përfundimin e luftimeve, por është zemëruar gjithashtu edhe për dështimin e tij të përsëritur për t’i përmbushur premtimet e fushatës presidenciale, në mesin e tyre edhe sjellja e paqes në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan synonte që ta vazhdonte trashëgiminë që e kishte ndërtuar në mandatin e parë me Akordet e Abrahamit – me të cilat ishin normalizuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa shteteve arabe dhe ta vazhdonte mbështetjen e paqes në mbarë rajonin.

Trumpi rishtazi paralajmëroi një donator hebre të fushatës se baza e tij e agjendës “Bëje Amerikën përsëri të Madhe” (MAGA) po fillon që të kthehet kundër Izraelit, raportoi të mërkurën gazeta e njohur britanike, “Financial Times”.

“Njerëzit e mi po fillojnë që ta urrejnë Izraelin” – citohet t’i ketë thënë kreu i Shtëpisë së Bardhë donatorit të paidentifikuar, i cili përshkruhet si “i rëndësishëm”.

“Ka njerëz në Shtëpinë e Bardhë që po e shohin duke u zhvilluar këtë narrativë në krahun e djathtë në botën e MAGA-s, që është shumë anti-izraelite, anti-hebreje” citohet të ketë thënë për gazetën “Financial Times” një ekspert i paidentifikuar që ka kontakte brenda administratës së Trumpit.

Sipas një sondazhi, përqindja e republikanëve që besojnë se veprimet e Izraelit kanë qenë tërësisht të justifikuara ka rënë nga 68 për qind, sa ishte në vitin 2023, në 52 për qind.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë dhe një zëdhënës i Netanyahut i refuzuan kërkesat e revistës “The Atlantic” për koment.